Demokracia si kulturë në pasqyren morale të një kombi

Analizë

Publikuar: 18/07/2026

Demokracia si kulturë në pasqyren morale të një kombi


Nga Ilir Demalia 


Nëse e shohim historinë shqiptare jo si një varg ngjarjesh, por si një proces të gjatë të formimit të kulturës politike, atëherë pyetja nuk është nëse shqiptarët kanë qenë apo jo demokratë. Pyetja është nëse gjatë historisë kanë ekzistuar kushtet që të lindte një kulturë demokratike dhe një shtet i së drejtës.

Demokracia nuk është thjesht sistem zgjedhor. Ajo nuk fillon me kutinë e votimit dhe nuk mbaron me shpalljen e rezultatit. Demokracia është, mbi të gjitha, një kulturë e vetëkufizimit të pushtetit. Është pranimi se askush nuk është mbi ligjin, se askush nuk është pronar i së vërtetës dhe se kundërshtari politik nuk është armik për t’u eliminuar, por qytetar me të njëjtat të drejta. Demokracia është kultura civile e një populi. Kushtetuta mund të shkruhet brenda një dite; kultura demokratike kërkon breza.

Në këtë këndvështrim, problemi shqiptar nuk ka qenë vetëm mungesa e institucioneve, por mungesa historike e kulturës që i mban institucionet gjallë.

Historia shqiptare është dominuar shumë më tepër nga mbijetesa sesa nga ndërtimi institucional. Për shekuj me radhë shqiptari nuk u edukua të besonte te shteti, por te fisi, bajraku, krahina, beu apo prijësi. Besnikëria nuk ishte ndaj ligjit, por ndaj personit. Kjo krijoi një kulturë ku pushteti personal ishte më i rëndësishëm se institucioni. Edhe kur shteti u krijua, mendësia mbeti ajo e vjetër.

Francis Fukuyama argumenton se shtetet e forta nuk ndërtohen vetëm mbi forcën administrative, por mbi besimin e qytetarëve te institucionet. Kur besimi ndërtohet mbi individin dhe jo mbi ligjin, shteti mbetet gjithmonë i brishtë. Pikërisht këtë duket se tregon edhe përvoja shqiptare.

Shteti shqiptar nuk lindi si rezultat i një procesi të gjatë konsensusi kombëtar dhe ndërtimi institucional, por si produkt i një kombinimi të përpjekjeve të rilindësve dhe interesave gjeopolitike të Fuqive të Mëdha. Kjo nuk zvogëlon aspak madhështinë e Rilindjes Kombëtare, por tregon se shteti lindi përpara se të konsolidohej kultura shtetformuese. Ndërtimi i shtetit nuk është vetëm akt juridik; është proces psikologjik, kulturor dhe moral.

Në këtë kuptim, copëtimi territorial nuk mund të shpjegohet vetëm me vendimet e Fuqive të Mëdha. Sigurisht që ato luajtën rol vendimtar, por historia nuk njeh vakum. Kur një popull nuk arrin të ndërtojë institucione të forta dhe unitet politik, aktorët e tjerë mbushin boshllëkun. Kjo është një nga ligjësitë e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pas vitit 1912, shteti shqiptar mbeti për shumë kohë më tepër projekt sesa realitet funksional. Konfliktet ndërmjet elitave, mungesa e administratës, largimi i Princ Vidit dhe kryengritjet e brendshme janë interpretuar nga autori si shenja të një kulture politike që ende nuk e kishte pranuar shtetin si autoritet mbi individin.

Në këtë kontekst merr kuptim metafora e “Dumbabizmit”. Ajo nuk përdoret për të gjykuar një figurë historike, por për të përshkruar një mënyrë të menduari. Dumbabizmi nuk është çështje feje, kostumi apo epoke. Është refuzimi i dijes, glorifikimi i padijes, mosbesimi ndaj elitës, nënshtrimi ndaj liderit dhe armiqësia ndaj çdo forme emancipimi. Sot ai nuk paraqitet me çallmë e brekushe, por me kostume firmato, marketing politik, propagandë mediatike dhe gjuhë populiste. Ka ndryshuar estetika; jo mekanizmi psikologjik.

Këtu analiza lidhet me Hannah Arendt, e cila argumentonte se totalitarizmi nuk mbështetet vetëm mbi dhunën, por mbi shkatërrimin e aftësisë së njerëzve për të menduar në mënyrë kritike. Kur propaganda zë vendin e arsyes, qytetari pushon së qeni subjekt politik dhe shndërrohet në ndjekës.

Komunizmi, në këtë perspektivë, nuk e ndërpreu traditën autoritare; ai e përforcoi atë. Elitat me kulturë liberale dhe perëndimore u zhdukën ose u margjinalizuan. Pluralizmi u zëvendësua nga monopoli ideologjik. Qytetari u edukua të bindej, jo të debatonte. Ligji nuk ishte kufizim i pushtetit, por instrument i tij. Për afro pesëdhjetë vjet, shoqëria mësoi se mbijetesa kërkonte bindje, jo mendim kritik.
Komunizmi u rrëzua ekonomikisht dhe ndërkombëtarisht, por mentaliteti nuk u rrëzua. Ndryshuan partitë, ndryshuan simbolet, ndryshoi ekonomia, por kultura politike mbeti në shumë aspekte e njëjtë. Autoritarizmi u zhvendos nga ideologjia te klientelizmi; nga partia e vetme te lideri i fortë; nga diktatura klasike te personalizimi i pushtetit.

Në këtë kuptim, mungesa e shtetit të së drejtës nuk është vetëm problem juridik. Është problem kulturor. Shoqëria vazhdon ta shohë ligjin si armë kundër kundërshtarit dhe jo si kufi për të gjithë. Kur ligji nuk perceptohet si normë universale, ai humbet legjitimitetin moral.

Po kështu, mungesa e dialogut nuk është vetëm mungesë edukate. Ajo buron nga mënyra se si ndërtohet identiteti politik. Në një kulturë demokratike, kundërshtari është legjitim. Në një kulturë autoritare, kundërshtari është armik. Demokracitë liberale janë përpjekur ta kapërcejnë këtë logjikë duke e zëvendësuar me konkurrencën paqësore. Kur kjo nuk ndodh, politika kthehet në luftë të përhershme.

Kjo shpjegon pse në Shqipëri debati politik rrëshqet kaq lehtë në demonizim, përjashtim dhe gjuhë urrejtjeje. Argumenti zëvendësohet nga etiketa. Kundërshtimi interpretohet si tradhti. Kompromisi shihet si dobësi. Humbja politike përjetohet si katastrofë ekzistenciale.

Kjo kulturë prodhon një shoqëri ku dhuna nuk është domosdoshmërisht fizike. Ajo manifestohet në gjuhë, në media, në rrjetet sociale, në parlament, në institucione dhe në jetën e përditshme. Fjala përdoret si armë për të poshtëruar, jo si mjet për të bindur. Kur dhuna bëhet mënyrë komunikimi, demokracia humbet përmbajtjen edhe nëse ruan procedurat.

Kur turmat i binden argumentit të forcës dhe jo forcës së argumetit argumentit, fillon sharja dhe linçimi moral. Pas kesaj fillon histeria
Në planin antropologjik, problemi nuk është vetëm politik. Ai lidhet me mënyrën si ndërtohet autoriteti në familje, në shkollë dhe në komunitet. Nëse fëmija mëson se autoriteti nuk diskutohet, se bindja vlen më shumë se arsyeja dhe se ndëshkimi është forma normale e zgjidhjes së konfliktit, ai do ta riprodhojë të njëjtin model edhe në politikë.

Prandaj problemi shqiptar nuk është thjesht se nuk kemi ndërtuar institucione të forta. Problemi është se ende nuk kemi ndërtuar kulturën që i mban ato institucione në këmbë. Kushtetutat mund të kopjohen. Ligjet mund të përkthehen. Reformat mund të imponohen nga jashtë. Por kultura demokratike nuk importohet. Ajo ndërtohet vetëm kur qytetari pranon se ligji është mbi interesin e tij, se pushteti është shërbim dhe jo pronë, dhe se liria e tij mbaron aty ku fillon liria e tjetrit.

Nëse nuk pranojmë këtë diagnozë, do të vazhdojmë të ndërrojmë qeveri pa ndryshuar kulturën politike. Do të vazhdojmë të flasim për demokraci, ndërsa do të praktikojmë tribalizëm politik. Do të vazhdojmë të kërkojmë shtetin e së drejtës, por pa ndërtuar më parë qytetarin që e mbron atë.

Në fund të fundit, demokracia nuk është pyetje procedurash; është pyetje karakteri. Dhe shteti i së drejtës nuk është thjesht arkitekturë institucionale; është pasqyrë e ndërgjegjes morale të një kombi.