Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” parashikon një mbrojtje të veçantë ligjore për Guvernatorin dhe Zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë, duke vendosur kushte të posaçme për arrestimin apo kontrollet ndaj tyre.
Sipas nenit 72 të projektligjit, të hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe të hedhur për konsultim nga Ministria e Financave, drejtuesit e Bankës Qendrore nuk mund të arrestohen, të privohen nga liria, apo t’u nënshtrohen kontrolleve personale dhe të banesës pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese.
Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur ata kapen në flagrancë ose gjatë ndjekjes së menjëhershme pas kryerjes së një vepre penale.
Në rast se prokuroria kërkon arrestimin ose kontrollin e banesës së Guvernatorit apo Zëvendësguvernatorëve, ajo duhet t’i drejtohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese për autorizim. Sipas projektligjit, kjo gjykatë duhet të shprehet brenda dy javësh nga paraqitja e kërkesës. Nëse nuk merret një vendim brenda këtij afati, kërkesa konsiderohet e refuzuar.
Një mbrojtje e tillë nuk është e zakonshme në shumicën e vendeve europiane. Në vende si Gjermania, Italia, Franca, Belgjika apo Britania e Madhe, guvernatorët e bankave qendrore mund të arrestohen pa qenë nevoja për autorizim nga një institucion tjetër.
Në vendet anëtare të Bashkimit Europian, imunitetet e posaçme lidhen kryesisht me funksionet e guvernatorëve si anëtarë të Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Europiane dhe jo me çështje të tjera personale apo akuza si korrupsioni.
Shqipëria ka pasur më herët raste të arrestimit të një guvernatori në detyrë. Në vitin 2014, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës pas skandalit të përvetësimit të 713 milionë lekëve në Departamentin e Emisionit të Monedhës. Më pas ai u shpall i pafajshëm nga gjykata dhe fitoi edhe dëmshpërblim për shkarkimin nga detyra.
Një tjetër rast lidhet me ish-guvernatorin Ilir Hoti, i cili u arrestua në vitin 1993 për shpërdorim detyre, por disa muaj pasi kishte lënë postin.
Projektligji i ri parashikon që vendimmarrja për autorizimin e arrestimit të drejtuesve të Bankës së Shqipërisë t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese, duke e shmangur Kuvendin nga ky proces.