Protesta/ Nga arkivoli te intimidimi i zyrtarëve, gazetari Ahmeti: Spontaniteti është mit, protesta ndjek një manual të vjetër

Aktualitet

Publikuar: 12/07/2026

Protesta/ Nga arkivoli te intimidimi i zyrtarëve, gazetari Ahmeti: Spontaniteti është mit, protesta ndjek një manual të vjetër

Gazetari Altin Ahmeti ka komentuar format e përdorura nga protestuesit në Tiranë, duke argumentuar se ato nuk përfaqësojnë një krijimtari të re, por janë marrë nga manualet klasike të rezistencës jo të dhunshme. Sipas tij, nga arkivoli simbolik te intimidimi i zyrtarëve dhe sulmet ndaj bizneseve, shumë prej veprimeve ndjekin metoda të përshkruara prej dekadash nga Gene Sharp.

Ndërkaq, në një replikë në Facebook me gazetarin Gjergj Erebara, përkthyesi në shqip i librit të Gene Sharp dhe pjesë e strukturës organizuese të protestës , Ahmeti ironizoi se protestuesit “kanë marrë frymëzim” pikërisht nga ky manual. Erebara iu përgjigj se përdorimi i flamingos si simbol mund të konsiderohet risi, ndërsa Ahmeti theksoi se flamingoja hyn gjithsesi në kategorinë e komunikimit vizual.

Reagimi i plotë:

Protestuesit nē Tiranë, nuk po tregojnë kreativitet, thjesht po bëjnë “copy-paste” nga libri i Gene Sharp duke përfshirë arkivolin, sulmet ndaj biznesve, intimidimet ndaj zyrtarëve etj,…. Nëse i analizon me kujdes protestat e deritanishme, bëhet e qartë se ato nuk dallohen për origjinalitet apo kreativitet. Shumica e veprimeve janë metoda të njohura të rezistencës jodhunshme të përshkruara prej vitesh nga Gene Sharp në librin From Dictatorship to Democracy dhe në listën e tij përmban 198 metodave të veprimit jodhunshëm. Marshimet, pankartat, sloganet, performancat simbolike, madje edhe arkivoli i përdorur në protestë, nuk janë shpikje të organizatorëve. Arkivoli simbolik përputhet me metodën “Mock funerals” (funerale simbolike) të përshkruar nga Gene Sharp. Kjo nuk do të thotë se përdorimi i këtyre metodave është i paligjshëm apo i gabuar. Por paraqitja e tyre si spontanitet apo si një kreativitet i jashtëzakonshëm nuk qëndron. Në thelb, kemi të bëjmë me një zbatim të metodave klasike të rezistencës civile, të dokumentuara prej dekadash. Prandaj, deri më tani protestuesit nuk kanë sjellë ndonjë model të ri proteste. Ata kanë ndjekur, në masë të madhe, një manual tashmë të njohur të Gene Sharp, duke riprodhuar metoda të testuara më parë në vende të ndryshme të botës.