Konflikti në Fier, flet nëna e 15-vjeçares: Vajza u bullizua, nuk mori ndihmë nga shkolla

Kronike

Publikuar: 12/07/2026

Konflikti në Fier, flet nëna e 15-vjeçares: Vajza u bullizua, nuk mori ndihmë nga shkolla

Në pritje të seancës për caktimin e masës së sigurisë personale në Gjykatën e Fierit, nëna e një prej 15-vjeçareve, ndaj së cilës është vendosur masa “shtrim i përkohshëm në një spital psikiatrik”, deklaron për A2CNN se shqetësimet për gjendjen e vajzës kanë qenë të hershme.

Sipas saj, problemet kanë nisur disa muaj më parë, kur vajza ishte nxënëse në një shkollë 9-vjeçare publike. Ajo pretendon se familja kishte nevojë për mbështetje nga shkolla dhe psikologia, por nuk mori ndihmën e nevojshme. Për këtë arsye, prindërit iu drejtuan Zyrës Arsimore në Fier dhe më pas vendosën ta regjistronin vajzën në një shkollë private.

Megjithatë, sipas nënës, 15-vjeçarja nuk shkoi asnjë ditë në shkollën e re, pasi ndihej e bullizuar. Ajo shprehet gjithashtu e shqetësuar pasi nuk është në dijeni as të diagnozës dhe as të trajtimit që po merr vajza.

Ndërkohë, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka mbërritur 19-vjeçarja Lionela Lamaj. Ajo do të paraqitet para trupit gjykues për verifikimin e kushteve dhe kritereve për vijimin e zbatimit të masës së sigurimit.

Lamaj u arrestua me kërkesë të Prokurorisë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal, e kryer në bashkëpunim.