Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Prekal të Shkodrës, ku një person është vrarë me armë zjarri. Policia bën të ditur se viktima, Aleksander Koçeku, është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda në një automjet, rreth orës 19:00 në aksin rrugor Prekal-Kir.
Aleksander Koçeku dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e planifikuar dhe realizuar vrasjen e Pavlin Prekës. Sipas Prokurorisë, nga provat e administruara deri tani rezulton se shtetasit Vasel Koçeku, Aleksandër Koçeku dhe Klaudio Lisaj dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë planifikuar dhe realizuar vrasjen e Pavlin Prekës.
Hetuesit dyshojnë se motivi i krimit lidhet me përpjekjet e viktimës për të marrë për bashkëshorte vajzën e shtetasit Vasel Koçeku, pa pëlqimin e saj. Sipas dosjes, Pavlin Preka kishte tatuazhuar në qafë emrin e vajzës, ndërsa ky fakt dhe rrethanat e tjera të hetimit dyshohet se kanë çuar në përshkallëzimin e konfliktit.
Në dokument theksohet gjithashtu se Klaudio Lisaj kishte lidhje shoqërore me viktimën dhe dyshohet se kishte dijeni për ngjarjen. Po ashtu, ai rezulton të ketë edhe lidhje familjare me Vasel Koçekun, pasi bashkëshortja e këtij të fundit është halla e Lisajt. Sipas Prokurorisë, autorë të dyshuar të vrasjes janë Vasel Koçeku, babai i vajzës që viktima dëshironte të fejonte, si dhe Aleksandër Koçeku, kushëri i tij, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në ngjarje.