Samiti i ardhshëm i NATO-s në Tiranë, ministri Hoxha: Mund të ndodhë në vitin 2027, kemi nisur përgatitjet për organizimin

Aktualitet

Publikuar: 08/07/2026

Samiti i ardhshëm i NATO-s në Tiranë, ministri Hoxha: Mund të ndodhë në vitin 2027, kemi nisur përgatitjet për organizimin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i cili sot ishte i pranishëm së bashku me kryeministrin Edi Rama në Samitin e NATO-s në Ankara, ka komentuar zhvillimet kryesore të samitit, angazhimet e reja të aleancës për rritjen e investimeve në mbrojtje, si dhe vendimin që Shqipëria të presë një nga samitet e ardhshme të NATO-s.

Sipas ministrit, ky është një moment i rëndësishëm si për aleancën euroatlantike, ashtu edhe për vendin tonë, që tashmë do të ketë një rol më të madh në organizimin e një prej aktiviteteve më të rëndësishme ndërkombëtare.

Është një moment i veçantë për aleancën, ashtu edhe për Shqipërinë. Erdhëm në këtë samit me një pozicion të ditur dhe me një angazhim për rritjen e investimeve. Kjo është pjesë e angazhimeve në qasjen e re që ka aleanca për rritjen e mbrojtjes dhe me projeksionin që të gjitha vendet e NATO-s të shkojnë deri në vitin 2030 në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për investimet në mbrojtje.

Qëllimi është që të jemi sa më të mbrojtur nga rreziku rus, por edhe nga rreziqe të tjera hibride. Mënyra e shpalljes së mbajtjes së samitit në Tiranë është fryt i një pune të të gjitha institucioneve tona. Është një lajm i mirë dhe një angazhim madhor për këto vite. Një mundësi për të treguar aftësitë tona për të pritur evente të tilla. Është një lajm i paralajmëruar.

Aleatët kanë vendosur që për samitin e ardhshëm të vazhdojnë bisedimet për kohën e përshtatshme. Mund të jetë për vitin 2027, por edhe për vitin pasardhës. Gjithsesi, ne do të jemi gati. Kemi nisur përgatitjet dhe synojmë të jemi në nivelin e duhur. Kemi ngritur një task-forcë, e cila ishte edhe në Ankara për të fituar eksperiencë dhe për të qenë sa më të përgatitur”, u shpreh ministri Hoxha.