Gjyqtarja Flora Hajredinaj, pjesë e trupës gjykuese që po gjykon në themel çështjen ndaj Erion Veliajt, është në konflikt interesi me kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Zbulimi është bërë nga avokatët mbrojtës të Veliajt, të cilët kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Hajredinaj nga trupi gjykues, pasi, sipas tyre, ekzistojnë rrethana objektive që krijojnë dyshime serioze dhe të arsyeshme mbi paanshmërinë e saj.
Nga dokumentet e depozituara rezulton se motra e gjyqtares, Teuta Gjunkshi, ka paditur Bashkinë e Tiranës pasi u largua nga puna dhe ky konflikt gjyqësor vijon ende të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë, gjyqtarja Flora Hajredinaj është pjesë e trupit gjykues që po shqyrton çështjen penale ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, institucioni i të cilit është palë në atë konflikt gjyqësor.
Po ashtu, kërkesa e avokatëve vë në dukje faktin se kunati i gjyqtares, Xhemal Gjunkshi, është ish deputet i PD dhe sot një funksionar politik aktiv i Partisë Demokratike, i cili ka mbajtur publikisht qëndrime personale kritike kundër Erion Veliajt.
Sipas mbrojtjes, këto rrethana, të vlerësuara së bashku, do ta bindnin çdo vëzhgues objektiv se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që cenojnë dukjen e paanshmërisë së gjyqtares dhe justifikojnë përjashtimin e saj nga gjykimi.
Çka shpie në pyetjen se si mundet që një gjyqtare të marrë vendime ndaj një të pandehuri, kur motra e saj ka një konflikt gjyqësor të hapur me institucionin që ai drejton dhe kunati i saj ka shprehur publikisht qëndrime politike personale kundër tij? A mund të kenë palët dhe publiku besim se, në këto rrethana, drejtësia jo vetëm po bëhet, por edhe po shihet se po bëhet?