Edhe PD mërzitet me protestën, nis pushimet, revolucioni braktiset edhe nga influenceret, u rikthehen kremrave

Dosje rozë

Publikuar: 07/07/2026

Edhe PD mërzitet me protestën, nis pushimet, revolucioni braktiset edhe nga influenceret, u rikthehen kremrave

Komunikimet mes organizatorëve tregojnë krizën e protestës në javën e saj të pestë. Ata thonë se njerëzit janë mërzitur dhe se pjesëmarrja ka rënë. Propozojnë që protesta të ndërpritet deri në shtator. Por, me protestën duket se janë lodhur dhe mërzitur edhe demokratët, të cilët kanë nisur pushimet në plazh. Deputetja e PD-së Klodiana Çapja me grupin e vajzave të PD-së së Elbasanit është shfaqur duke pushuar në plazh, duke braktisur revolucionin për rrëzimin e Ramës.

Teksa protestuesit i kërkonin Edi Ramës dorëheqjen poshtë zyrës së tij, kryezëdhënësi i Berishës, Alfred Lela shfaqej duke u freskuar në një lum, madje ekspozonte edhe prapanicën si influenceret. Pas kthimit në Tiranë, Lela shkroi se ndihej krenar për humbjen në garën për anëtar të Kryesisë së PD.

Ndërkaq, politologu pranë Partisë Demokratike, Ermal Hasimja, ka zgjedhur një mënyrë jo fort të zakonshme për t’iu bashkuar protestës së Tiranës: jo nga bulevardi, por nga Alpet e Zvicrës, rreth 4 mijë metra mbi nivelin e detit. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Hasimja shihet duke shpalosur një pankartë me mbishkrimin “Rama jepe dorëheqjen”, slogani që dëgjohet prej ditësh në protestën para Kryeministrisë.

Revolucioni i flamingove është braktisur edhe nga influenceret, të cilat gjatë dy javëve të para të protestës ishin aktive, madje disa prej tyre u përplasën në distancë me kryeministrin. Ato jo vetëm që nuk shfaqen më në bulevard, por tashmë objekt i postimeve të tyre janë reklamimi i pushimeve luksoze, veshjeve, dyqaneve dhe produkteve të ndryshme.

Rizarta Hoxha dhe Efi Dhedhes i janë kthyer reklamimit të veshjeve, Roza Lati gjatë protestës shëtit qenin e saj nga Parku u Liqenit, Dea Mishel i është rikthyer leximit, Livia Brunga reklamon bukën e Mrizit të Zanave, Olta Gixhari reklamon kremëra.