Goditet një aktivitet i dyshuar i paligjshëm i basteve sportive pranë Fushë-Krujës, AMP sekuestron pajisje elektronike

Kronike

Publikuar: 07/07/2026

Goditet një aktivitet i dyshuar i paligjshëm i basteve sportive pranë Fushë-Krujës, AMP sekuestron pajisje elektronike

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, AMP, ka zhvilluar këtë të martë operacionin e koduar “Basti i Fundit”, në kuadër të goditjes së aktivitetit të dyshuar të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit dhe basteve sportive.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet u ushtruan në ambientet e një bar-kafeje në pronësi të shtetasit me iniciale A.S., në zonën e njohur si “Tregu Fshatar”, pranë Fushë-Krujës, pas informacioneve të siguruara nga strukturat e Inteligjencës Operative të AMP-së.

Gjatë kontrollit, efektivët sekuestruan katër pajisje elektronike kompjuterike, katër monitorë, si edhe pajisje serverike dhe elemente të tjera teknologjike, të cilat dyshohet se përdoreshin për organizimin dhe ushtrimin e paligjshëm të basteve sportive.

AMP bën me dije se po kryhen veprimet e para hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar, identifikimin e personave të përfshirë, si dhe verifikimin e çdo rasti të mundshëm favorizimi, mosveprimi apo përfshirjeje të punonjësve të Policisë së Shtetit ose subjekteve të tjera që janë në fushën e mbikëqyrjes së Agjencisë.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së dyshuar të paligjshme, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të çdo personi që rezulton i përfshirë.

Në reagimin e saj, AMP rithekson angazhimin për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme që favorizohet ose mbështetet nga punonjës të strukturave nën mbikëqyrjen e saj, duke garantuar hetime të paanshme dhe në përputhje me ligjin.