Bilanci i KLP-së për 2025: 384 vendime dhe 3 drejtues të rinj prokurorish. Në korrik emërohen 25 prokurorë

Kronike

Publikuar: 07/07/2026

Bilanci i KLP-së për 2025: 384 vendime dhe 3 drejtues të rinj prokurorish. Në korrik emërohen 25 prokurorë

Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani, ka paraqitur bilancin e veprimtarisë së institucionit për vitin 2025 gjatë shqyrtimit të projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025” në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Në fjalën e saj, Bogdani bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka marrë një numër të konsiderueshëm vendimesh që lidhen me funksionimin e sistemit të prokurorisë, menaxhimin e karrierës së magjistratëve dhe proceset e integritetit profesional.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjatë vitit 2025 ka miratuar 384 vendime, duke përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore që lidhen me organizimin dhe funksionimin e sistemit të prokurorisë”, deklaroi Bogdani.

Sipas saj, një ndër proceset kryesore ka qenë forcimi i trupës së magjistratëve, ku gjatë kësaj periudhe janë emëruar 26 magjistratë prokurorë të rinj në sistem. Ajo theksoi gjithashtu se proceset e verifikimit të integritetit, përfshirë vetingun në hyrje dhe dalje, kanë vijuar sipas kuadrit ligjor në fuqi.

“Gjatë këtij viti janë realizuar procedurat e lëvizjes paralele, ku janë shqyrtuar 24 procedura, si dhe janë emëruar tre drejtues prokurorish me mandate të rregullta”, tha kryetarja e KLP-së.

Bogdani bëri të ditur se Këshilli ka vijuar edhe procesin e vlerësimit etik dhe profesional të prokurorëve. Sipas saj, janë kryer gjithsej 40 vlerësime, nga të cilat 30 kanë qenë vlerësime periodike, 6 vlerësime të përshpejtuara dhe 4 vlerësime për drejtues të prokurorive. Duke folur për zhvillimin e karrierës në sistemin e prokurorisë, kryetarja e KLP-së tha se Komisioni i Zhvillimit të Karrierës ka propozuar rreth 189 akte, të cilat përbëjnë afërsisht 49% të vendimmarrjes së Këshillit.

“Komisioni i Zhvillimit të Karrierës ka luajtur një rol të rëndësishëm në veprimtarinë e Këshillit, duke propozuar rreth 189 akte gjatë vitit, që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të vendimmarrjes së KLP-së”, u shpreh Bogdani.

Ajo bëri me dije gjithashtu se Këshilli ka trajtuar kërkesat për mbrojtjen e prokurorëve, ku nga 13 kërkesa të shqyrtuara, 12 janë miratuar dhe një është refuzuar. Ndërkohë, janë administruar edhe 61 ankesa kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nga të cilat 23 janë trajtuar përmes vendimmarrjes përkatëse. Një tjetër çështje e rëndësishme e përmendur nga kryetarja e KLP-së ishte përfundimi i procesit të përzgjedhjes së drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe emërimi i drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

“Ka përfunduar procesi i zgjedhjes së drejtuesit të SPAK dhe është realizuar emërimi i drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, procese të cilat kanë qenë ndër më të rëndësishmet për funksionimin e institucioneve të drejtësisë”, deklaroi Bogdani.

Në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të sistemit, kryetarja e KLP-së bëri të ditur se pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës pritet që në fund të muajit korrik të emërohen 25 magjistratë të rinj për prokurorë. Sipas drejtueses së KLP-së, këto procese synojnë të garantojnë një sistem prokurorie më funksional, me standarde më të larta profesionale dhe me fokus në forcimin e pavarësisë dhe integritetit të magjistratëve.

“Sot jemi në një proces ku, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës, pritet që në fund të korrikut të emërohen 25 magjistratë të rinj për prokurorë. Për ta ka përfunduar kontrolli i verifikimit të pasurisë, figurës dhe integritetit dhe po përfundojmë gjithashtu përgatitjen e raporteve për daljen e tyre nga Shkolla e Magjistraturës”, tha Bogdani.