Mes dëshmitarëve të thirrur sot në gjyqin “Partizani” është edhe një personazh jo shumë i njohur me emrin Elvira Aliaj (Lame). Ajo ka qenë një prej anëtarëve të komisionit të ngritur posaçërisht për vlerësimin e pronave në ish klubin Partizani. Ajo ka qenë në pozicionin e ekspertit vlerësues të licencuar për pasuritë e paluajtshme.
Dy prokurorët e dosjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai tregojnë në dosje se si përmes veprimeve të këtij komisioni u manipulua procesi i vlerësimit të ndërtesave të kompleksit sportiv ‘Partizani’ mbi tokën e familjes Begeja, të cilat u shembën për të ngritur kullat.
SPAK ka zbuluar se nuk është caktuar vlera reale e ndërtesave të këtij kompleksi por një shifër qindra milionëshe herë më e vogël.
Elvira Aliaj (Lame) dhe një tjetër personazh me emrin Sali Preçi, të dy anëtarë të komisionit të vlerësimit në procedurën e privatizimit të Klubit Shumësportesh Partizani, arritën në përfundimit se vlera e ndërtesave ishte 43 254 740 lekë (ose rreth 450 mijë euro me kursin e sotëm), ndërkohë që vetë prokuroria bëri një akt ekspertimi më pas, dhe vlera shumatore e ndërtimeve rezultoi 388 713 429 lekë (rreth 4 milionë euro), pra 345 458 689 lekë më shumë.
Sa I përket klubit të futbollit, sipas raportit të vlerësimit të ekspertëve Elvira Aliaj dhe Sali Preçi vlera e ndërtesave dilte 10 108 780 lekë (ose rreth 100 mijë euro) e konfirmuar edhe nga grupi i vlerësimit, kurse nga ekspertët e SPAK gjatë hetimit, Klubi I Futbollit është vlerësuar 10-fish më shumë, 101 094 535lekë (rreth 1 milionë euro), ose 90 985 755lekë më shumë.
Pra shtetit nga këto privatizime, sipas SPAK i ka ardhur një dëm në vlerën 436 444 444 lekë, ose rreth 4.5 milionë euro me kursin e sotëm.

Jo vetëm kaq. E habitshme është se si Elvira Aliaj dhe Sali Preçi, të njëjtët janë të lidhur edhe me një tjetër fakt. Jamarbër Malltezi ndërtoi kullat jo vetëm në tokën e marrë si pronarë, por dhe në sipërfaqe tokë shtet pa i paguar asnjë qindarkë këtij të fundit. Në dosje zbulohet se është ndërtuar në një sipërfaqe prej 857 metra katrorë që nuk ishte pjesa e pronave të tyre por ishte pronë shtetit. SPAK thotë se për këtë vlera e dëmit që i është shkaktuar shtetit është gati 23 mln lekë (saktësisht 22. 956. 459 lekë të reja).
Nga verifikimi i dokumentacionit të pronësisë dhe krahasimit të hartave të pronës së ish pronarëve me gen planin e objektit që privatizohet dhe HTR të lëshuara nga ZRPP rezulton se për objektin “Terrenet sportive dhe objektet e klubit të futbollit Partizani” me vendndodhje në rrugën Frosina Plaku Tiranë, një pjesë e truallit prej 857 m2 nuk përfshihet në pronën e njohur ish pronarëve të truallit të sipërpërmendur.. Siç mund të konstatohet, nga ana e këtij komisioni, është konkluduar se sipërfaqja e truallit shtesë, që nuk përfshihet në pronën e njohur ish pronarëve të truallit është 857 m2”, thuhet në dosje.
“Siç mund të konstatohet është konkluduar se sipërfaqja e truallit shtesë, që nuk përfshihet në pronën e njohur ish pronarëve të truallit është 857 m2 në kundërshtim me atë që kanë konkluduar ekspertët Elvira Aliaj dhe Sali Preçi, që kishin lënë jashtë familjen Llagami, duke u shprehur se shteti rezultonte pronar në një sipërfaqe prej 4261 m2. Sidoqoftë, pasur parasysh vlerën prej 26 787 m2 X 857 m2, sipas përllogaritjeve të këtij komisioni, familjet që po kryenin privatizimin, duhet të paguanin edhe shumën prej 22 956 459 lekë”, vijon SPAK në akuzë.
Por kjo pagesë, mbi 230 mijë euro me kursin e sotëm nuk u pagua kurrë.
Në dosje SPAK thotë se Elvira Aliaj (Lame), është njohje e Jamarbër Malltezit dhe rezulton se edhe më pas ka punuar me kompaninë Homeplan të dhëndrit të Berishës.
Një dokument I gjetur nga SPAK, që mban datën 3 dhjetor 2011, vërteton se Elvira Aliaj (Lame) ka përgatitur çertifikatën e vlerësimit për llogari të Malltezit për një tokë arë 3000 m2 vol 8 në fshatin Priskë, për të cilën Petrit Kullolli, topograf, edhe ky pjesë e dosjes “Partizani” ka përgatitur plan rilevimin. Nga të dhënat e gjetura nga Prokuroria e Posaçme ekspertja Lame është paguar për këtë shërbim 1200 euro me kursin e sotëm. E pyetur në SPAK për marrëdhënien me Malltezin, Lame ka thënë se ka pasur njohje që herët por kur ka bërë vlerësimin e pronave nuk e dinte.
Kujtojmë se vetëm 2 javë më parë një tjetër dëshmitare në GJKKO për Partizanin tregon të njëjtën ‘modus operandi’ të Malltezit për ata që e kanë ndihmuar në ccështjen “Partizani”. Vajza e analistit Fatos Lubonja, Tetis Lubonja, ish-përgjegjësja juridike në grupin e Agjencisë së Kthimit të Pronave që firmosi për kthimin e kompleksit Partizani pronarëve dëshmoi më 22 qershor. Vetë Lubonja, për të cilën në dosjen e SPAK theksohet miqësia me Jamarbër Malltezin që edhe ajo vetë e pranon, në dëshminë e dhënë në SPAK për këtë çështje kishte pranuar që “Partizani” ishte ndër dosjet e para që iu dha nga eprorët për ta punuar me prioritet.
Në dosje, SPAK thotë se kjo Agjenci ka shqyrtuar me shpejtësi të pajustifikuar, kërkesat e pesë familjeve të njohura pronare, në krahasim me kërkesat e qytetarëve të tjerë, duke pasur parasysh ngarkesën dhe volumin e dosjeve që kishte. Por edhe pse në dorë kishin akuzën që vetë e kanë hartuar, dy prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai nuk i drejtuan asnjë pyetje në GJKKO Tetis Lubonjës për deklaratat e saj se eprorët i kishin kërkuar ta shqyrtonin dosjen me prioritet.
Në dosjen e SPAK, evidentohet se grupi i punës i ngarkuar me shqyrtimin e dosjeve të pesë familjeve të njohura pronare, përbehej nga tre persona, ku të paktën dy prej tyre konstatohet se kanë lidhje me trashëgimtarët e familjeve të njohura pronare. Konkretisht, Tetis Lubonja e cila përveç lidhjes miqësore dhe njohjeve me Jamarbër Malltezi dhe Rudina Llagami, rezulton edhe të ketë qenë e punësuar disa vite më pas pranë shoqërisë Kontakt sh.p.k. Këtë fakt vetë Lubonja e pranoi edhe në dëshminë e saj në GJKKO, ku deklaroi se disa vite pas punës në Agjencinë e Kthimit të Pronave kishte punuar për rreth 6 muaj me kohë të pjesshme si shefe juridike pranë kompanisë Kontakt, që ngriti kullat në ish-klubin partizani.
Pjesë nga dëshmia
Enkeleda Millonai: Rezulton se keni qenë anëtare në komisionin e vlerësimit në dy procedura të privatizimit të Kompleksit Partizani dhe Klubit Shumësportësh Partizani?
Elvira Lame: Mënyra si jam zgjedhur dhe kush më ka propozuar nuk e di. Më ka ardhur njoftimi me postë.
Enkeleda Millonai: Eksperti tjetër cili ka qenë?
Elvira Lame: Unë dhe Sali Preçi, i ndjerë.
Enkeleda Millonai: Sipërfaqja e domosdoshme përcaktohet përmes genplanit. Keni marrë ndonjë genplan nga Ministria e Mbrojtjes?
Elvira Lame: Për secilën nga procedurat më janë vënë në dispozicion pasi jam përzgjedhur. Dokumentet na viheshin në dispozicion nga dega, emrin e së cilës nuk e mbaj mend.
Enkeleda Millonai: Referuar VKM-së së vitit 2007, me të cilën ishit ngarkuar për vlerësimin që do të kryenit, përcaktohej se vlerësimi bëhej me genplanin. Keni marrë ndonjë genplan?
Elvira Lame: Mbaj mend se më janë vënë në dispozicion genplanet pasi u caktova. Nuk më kujtohet kush i vendosi në dispozicion. Ne kishim komunikim me një degë që ndoshta quhej Dega e Privatizimit. Ka qenë dega e Tiranës. Kryetari apo specialistët na njoftonin se erdhi genplani apo akte të tjera.
Enkeleda Millonai: Nga Instituti Gjeografik i Ushtrisë keni marrë ndonjë hartë për Sport Klub Partizanin?
Elvira Lame: Hartën na e ka vënë në dispozicion kjo degë.
Enkeleda Millonai: VKM-të që kaluan pronën në Ministrinë e Mbrojtjes apo të Kulturës, i keni parë ndonjëherë?
Elvira Lame: Kur na janë vënë në dispozicion genplanet, i kemi parë në raport me vlerësimin. Nëse do ta shikoja edhe një herë raportin, do t’i shpjegoja.
Enkeleda Millonai: Sipërfaqja është përcaktuar 29 mijë m². Ju e keni nxjerrë rreth 26 mijë m². Mund ta shpjegoni diferencën?
Elvira Lame: Për sipërfaqen e truallit është shkruar se ka pasur konfirmim nga Bashkia e Tiranës, se sipërfaqja sipas kësaj shkrese ishte 26 524 m².
Enkeleda Millonai: Është përcaktuar në VKM se sipërfaqja përcaktohet nga komisioni?
Elvira Lame: Ne na është sjellë genplani. Nuk e kemi përcaktuar ne. Kemi bërë azhurnimin në terren. Janë bërë edhe diferencimet mes tyre. Në rastin konkret, KML-ja ka përgatitur edhe genplanin.
Nëse sipërfaqja do të ndryshonte, Bashkia ka bërë korrigjimet e veta. Nuk është se miratohet ashtu si dërgohet, nëse do të ketë ndryshim në sipërfaqe. Nëse do të kishte ndryshime në sipërfaqe, miratohej nga Bashkia.
Enkeleda Millonai: Për Klubin Shumësportësh Partizani, sipërfaqja e klubit që shtrihet në rrugën e Durrësit. Për sipërfaqen e përgjithshme, ju kujtohet? E keni përgatitur sipas VKM-së së vitit 2003, ku ishte e përcaktuar edhe sipërfaqja?
Elvira Lame: Ne e kemi përgatitur nga aktet që na vendoseshin në dispozicion.
Enkeleda Millonai: Për sa i përket Klubit Shumësportësh Partizani?
Elvira Lame: Kemi pasur konfirmim nga Bashkia e Tiranës për të dy sipërfaqet.
Enkeleda Millonai: Referuar dy raporteve të vlerësimit, pronat që u kthyen pronarëve e zinin gjithë territorin, apo kishte edhe sipërfaqe shtet dhe të pronarëve të tjerë?
Elvira Lame: Mbaj mend se informacionet merreshin nga ASHK dhe ATP për pronësinë. Për Sport Klub Partizanin kemi thënë se 866 m² ishin pronë shtetërore e regjistruar.
Për Klubin Shumësportësh ka pasur po ashtu sipërfaqe shtetërore.
Enkeleda Millonai: Ju vlerën fillestare e keni referuar sipas fillimvitit 1997. Kush jua ka dhënë referimin e vitit 1997? Ndërkohë ka pasur akt kontabël të vitit 2000. E dinit?
Elvira Lame: Këtë të vitit 1997 na e kanë vënë në dispozicion.
Enkeleda Millonai: Cilët?
Elvira Lame: Komunikimet i kishim me Degën e Shërbimeve.
Enkeleda Millonai: Ka pasur investime nga viti 1997 e në vijim dhe a i keni konsideruar?
Elvira Lame: Te Klubi i Futbollit është kërkuar vlerësimi vetëm i objektit shtetëror dhe jo i shtesave nga të tretët që janë bërë pa leje.
Kemi përcaktuar vlerën vetëm për pronën shtetërore. Ka pasur investime nga të tretët.
Enkeleda Millonai: A ka qenë vlerësimi sipas vlerës së tregut?
Elvira Lame: Unë kam shkuar te Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pranë ASHK-së. Nuk ka pasur objekte të ngjashme. Nuk krahasohet një apartament me objektet që vlerësoheshin.
/shqiptarja.com