Nga Preç Zogaj
E ka thënë Mahatma Gandhi, udhëheqësi indian që i priu çlirimit të popullit dhe vendit të tij nga sundimi perandorak britanik, superfuqia botërore e kohës. Kjo ishte fitorja e madhe, por jo e vetmja, që e kurorëzoi gandizmin si një doktrinë politike-filozofike që synon ndryshimin dhe arritjen e qëllimeve të drejta përmes rezistencës paqësore.
Krahasimet çalojnë në kohë. Çfarë ka ndodhur dikur nuk është kopje e asaj që ndodh sot. Ato çalojnë gjithashtu në llojin dhe vëllimin e ngjarjeve, si edhe në përmasat e subjekteve që i prodhojnë.
Përqasjen apo ngjashmërinë e mban thelbi i tyre.
Protesta rinore popullore e përnatshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ngjarja më e madhe demokratike që i ka ndodhur Shqipërisë në tri dekadat e fundit, ka nisur si paqësore, ka vijuar si paqësore dhe mund të fitojë vetëm si paqësore. I gjithë konteksti i saj sugjeron këtë çelës suksesi.
Ajo është një protestë me kërkesa politike, ku përveç dorëheqjes së qeverisë dhe anulimit të disa ligjeve autokratike, po kërkon dhe po ngulmon për reformimin e sistemit politik në vend. Një reformim që do të sigurojë drejtësi shoqërore për të gjithë, çlirimin e zgjedhjeve nga rrethimi i shtet-partisë, zgjedhjen e deputetëve nga populli, vendosjen e kufijve të qartë mes shtetit dhe pushtetit, themelimin e llogaridhënies, transparencës dhe demokracisë pjesëmarrëse. Me fjalë të tjera, do t’i jepte fund përjashtimit të popullit nga sistemi që formalisht e njeh si sovran.
Këto kërkesa nuk mund të realizohen nga jashtë institucioneve. Nuk duhet, edhe po të ishte e mundur; por nuk është e mundur. Nuk e lejon demokracia, as anëtarësia e vendit në NATO, as kuadri i procesit të anëtarësimit në BE, dhe as stadi ku ndodhet sot kjo aspiratë.
Me një intuitë që vjen nga natyra e lëvizjeve të pastra e të çiltra rinore-popullore, protesta ka kapur momentin për të shtyrë mbylljen e kapitujve të anëtarësimit në BE, si garanci e ndryshimeve të pritshme. Jo vetëm të kapitullit 27 për mjedisin, por edhe të kapitujve themelorë e të tjerë. Në Bruksel, tani del në plan të parë zbatimi i standardeve.
Shqipëria nuk ka shanse t’ia hedhë thjesht duke bërë letrat, duke përfituar nga situata gjeopolitike, apo më keq, duke mbajtur një dorë në bakllava dhe një dorë në revani, siç tregojnë piruetat e kryeministrit Rama. Si e tillë, me bindjen se Shqipëria e re është Shqipëria në BE, protesta paqësore pozicionohet në pararojë të ëndrrës së integrimit në këtë fazë vendimtare.
Nuk ka gjë më të fuqishme se një kauzë, koha e së cilës ka ardhur. Kauzës së rikthimit të demokracisë i ka ardhur koha. Ajo është e tillë që hëm i bashkon njerëzit, hëm formohet prej tyre. Është si lindja, ku lehona bën të lindë fëmija dhe fëmija bën të bëhet nëna. Ajo ka potencialin të bashkojë rreth vetes shumicën dërrmuese të shqiptarëve.
Sekreti mbetet karakteri paqësor dhe pjesëmarrja, dy qershi të lidhura në një rrfanë, siç do të thoshte poeti Ndre Mjeda. Karakteri paqësor rrit pjesëmarrjen. Të dyja së bashku bëjnë forcën. Një pjesëmarrje e madhe, me njëqind mijë njerëz e më shumë, ia pakëson ajrin qeverisë, ia bën të pamundur të vazhdojë me shpërfillje, me injorim të kërkesave dhe me meskinitete. Ia bën të pamundur qeverisë.
Ruajtja e karakterit paqësor të protestës, duke lënë mënjanë format e vjetra të opozitarizmit të dhunshëm steril, të stërpërdorur pa sukses nëpër dekada, është një akt mençurie dhe emancipimi që tejkalon stereotipet. Një mbrëmje kam dëgjuar në një studio televizive dy të rinj, pjesëtarë të grupit të koordinatorëve të protestës. U mahnita me qetësinë dhe kthjelltësinë e tyre.
“Po tani? Çfarë do të bëni me Edi Ramën, kur ai nuk do t’ia dijë fare për protestat tuaja?” – i ngacmonte njëri prej gazetarëve në studio, me qëllimin e qartë për të nxjerrë prej tyre ndonjë deklaratë për përshkallëzim. Nuk mund ta di nëse e kishin lexuar Gandin, por përgjigjet i kishin si gandistë.
“Ashtu do të fitojnë”, mendova me vete.
Dhe, meqë e nisëm me Gandin, le ta mbyllim me një shprehje tjetër të famshme të tij:
“Armiqtë tanë do të fitojnë mbi ne kur ne do t’i urrejmë ata aq sa na urrejnë ata ne.”