Rimbursimi fiktiv i ilaçeve/ 400 farmaci “përfituese” të Nadir Çaushollit, në krye “BioPlus” e Gazmend Alia

Kronike

Publikuar: 03/07/2026

Rimbursimi fiktiv i ilaçeve/ 400 farmaci “përfituese” të Nadir Çaushollit, në krye “BioPlus” e Gazmend Alia

Rreth 400 farmaci besohet se janë përfshirë në një skemë të dyshuar mashtrimi me rimbursimin e ilaçeve me kompaninë “CFO Pharma” të Nadir Çaushollit. Një skemë që raportohet se është shtrirë në shumë qytete të Shqipërisë dhe që, deri më tani, llogaritet në një dëm ndaj buxhetit të Shtetit në më shumë se 2.3 milionë euro.

Të dhënat gjenden në një raport konfidencial të hartuar nga zyrtarët e Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe të siguruar ekskluzivisht nga “Boldnews.al”.

Në krye të farmacive përfituese nga kjo skemë e dyshuar qëndron “Pharma One”, e administruar nga Gazmend Aliaj, një personazh arrestuar në vitin 2019, si i përfshirë në një skemë të ngjashme me rimbursimin e ilaçeve.

Skema e dyshuar

Në nëntor të vitit 2025, Prokuroria e Tiranë njoftoi lëshimin e urdhër-arresteve për ish-drejtorit të Fondit të Kujdesit Shëndetësor, Spartak Zekja, si edhe për Frigull Milla, administrator i kompanisë farmaceutike “CFO Pharma”, në pronësi të Nadir Çaushollit.

Dy burrat, së bashku me disa vartëse të tyre në institucionin publik dhe shoqërinë private, dyshoheshin nga prokurorët se kishin ngritur një skemë mashtrimi për rimbursimin e dy medikamenteve, “Foster” dhe “Trimbow”, për një dëm ekonomik rreth 700 mijë euro.

Në vijim, Fondi i Kujdesit Shëndetësor ndërpreu kontratën me “CFO Pharma”. Paralelisht, institucioni publik vijoi verifikimet për zgjerimin e skemës së dyshuar mashtruese edhe për medikamente të tjera.

Në foto: Pronari i “CFO Pharma”, Nadir Çausholli

Në fillim të vitit 2026, Raporti i Kontrollit zbuloi se kompania e Çaushollit ishte përfshirë në një skemë të dyshuar mashtruese edhe për 8 medikamente të tjera. Vlera e kësaj skeme të zgjeruar, e cila gjithësesi, nuk është përfundimtare, përllogaritet në 2.3 milionë euro.

Në fokus të auditimit të deritanishëm kanë qenë transaksionet e kryera mes këtyre kompanive për medikamentet: 1. Entresto 50 mg. 2. Entresto 100 mg. 3. Insuline Glargine 100 Nj.N/mg. 4. Insuline Determir 100 Nj.N/mg. 5. Vildagliptin+Metformine 50mg + 850mg. 6. Paliperidone 6mg. 7. Budesonide 200 mcg pompë, dhe 8. Budesonide 400 mcg pompë.

Në të gjitha rastet vërehet e njëjta metodologji. “CFO Pharma” nuk ka pasur gjendje për një kohë të gjatë asnjë prej këtyre medikamenteve. Në një ditë të caktuar, ajo furnizohet nga “Nedix Albania”, një tjetër kompani e dyshuar si e përfshirë në skemën mashtruese dhe, po në të njëjtën ditë, kompania e Nadir Çaushollit e shpërndan të gjithë furnizimin tek një rrjet i gjerë farmacish në Tiranë dhe në rrethe.

Rrjeti gjigant i farmacive

Në vijim të këtij konstatimi, audituesit e Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor kanë bërë një listim të farmacive “të furnizuara” me këto medikamente. “Kjo renditje ka për qëllim pasqyrimin e riskut më të lartë në qarkullimin e këtyre 8 barnave me seritë fiktive të konstatuara online në depot farmaceutike “Medix Albania”, “Pharma Plus”, “Cfo Pharma Kashar” dhe “Cfo Pharma Tiranë” të cilave u është zgjidhur kontrata me Fondin pikërisht për fiktivitet për qarkullimin e këtyre sasive fiktive”, thuhet në raportin e siguruar nga “Boldneës.al”.

Në foto: Pjesë nga lista e hartuar nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor

Në krye të listës së dyshimtë, të përpiluar nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor qëndrojnë “Medigreen” dhe “Bio Plus”, të dyja të lidhur me një emër të vetë, Gazmend Aliaj.

Formalisht, dy subjektet, të bashkuara në një të vetëm, janë në pronësi të bashkëshortes së tij, Iris Aliaj. Megjithatë, aktiviteti tregtar në praktikë duket se kontrollohet nga Gazmendi, i cili më herët ka pasur problematika penale, pikërisht për veprimtari të lidhura me “Bio Plus”.

“Rikthehet” Gazmend Aliaj

Në janar të vitit 2019, Prokuroria e Tiranës njoftoi arrestimin e dy personave, të dyshuar si të përfshirë në një skemë mashtrimim me rimbursimin e ilaçeve, Gazmend Aliaj dhe Petrit Skura.

Ngjarja ka të bëjë me dyshimin e krijuar se farmacitë me vlerën e rimbursimit më të madh për vitet e fundit, siç janë Bio Plus, Medigreen dhe “Geni&Lori”, nëpërmjet mashtrimit kanë përfituar fonde dhe subvencione nga shteti, duke përfituar nga fakti se kanë kontrate me FSDKSH-në, për rimbursimin e ilaçeve që ata shesin”, thuhej në një njoftim e 11 janarit 2019.

Në foto: Gazmend Aliaj

Prokurori që ndoqi hetimet në atë kohë, Ervin Karanxha, deklaroi publikisht se “nga hetimet e kryera na ka rezultuar se farmacitë e mësipërme kanë lëshuar receta dhe kanë përfituar rimbursime në emër të personave të vdekur apo të personave që jetojnë jashtë Shqipërisë”.

Pak muaj më vonë, Gazmend Aliaj përfitoi nga një zbutje mase sigurimi, ndërkohë që dy farmacitë në pronësi të bashkëshortes, por që besohet se menaxhohen prej tij, janë përfshirë në krye të listës së skemës së dyshuar mashtruese me “CFO Pharma” në vitin 2025.

Fondi i rikthen kontratën Çaushollit

Të dhënat e përpunuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor krijojnë dyshime të forta se kompania “CFO Pharma” dhe disa satelitë të saj janë përfshirë në skemë të dyshuar mashtruese me të paktën 10 medikamente.

Pasi, fillimisht, u zbulua skema e dyshuar, vetëm për dy medikamente, Fondi ndërpreu kontratën me kompaninë e Nadir Çaushollit. Përfaqësuesit e tij e ankimuan vendimin në rrugë gjyqësore.

Në maj të vitit 2026, Gjykata e Apelit Administrativ, me një vendim tepër të diskutueshëm, pranoi kërkesën e “CFO Pharma” shpk dhe vendosi të pezullojë efektet e ndërprerjes së kontratës.

Në foto: Drejtori i Fondit, Ilir Topi, ish-deputet i Partisë Socialiste

Mbi bazën e këtij vendimi gjyqësor, drejtori i sapoemëruar i Fondit të Kujdesit Shëndetësor, Ilir Topi, urdhëroi vartësit e tij që të rikthenin në funksionalitet kontratën me “CFO Pharma”.

Por, ndërkohë që drejtori Topi e argumentoi urdhërin e tij me një vendim gjykate, ai rezulton se, të paktën deri më tani, nuk ka ndërmarrë asnjë masë penalizuese, megjithëse ekspertët në varësi të tij kanë zbuluar se skema e dyshuar mashtruese e kompanisë së Çaushollit është zgjeruar jo vetëm me dy, por me të paktën 10 medikamente.

/boldnews