Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish mbi protestën e zhvilluar sot para Kuvendit, ku u shënuan përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
“Kalimi në dhunë fizike është e vetmja gjë që mund të prodhojë tanimë korja e zezë e dështakëzemërakëve të bulevardit politiko-mediatik të Tiranës, koleksionistëve të precedentëve kriminalë dhe duarve të huaja pas tyre! Duhet akoma durim e pastaj i vjen radha reflektimit”, shkruan Rama në një postim në “X”.
Protesta para Parlamentit u shoqërua me përplasje të shumta dhe të ashpra mes policisë dhe protestuesve, duke sjellë shoqërime, si dhe të lënduar mes efektivëve të policisë dhe qytetarëve që protestuan.
Ndërkohë, pas incidenteve të dhunshme, policia nisi shoqërimin në flagrancë të protestuesve. Në total u shoqëruan 23 persona, ndërsa pati edhe protestues të lënduar.