Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë periferinë e qytetit të Vlorës, ndërsa temperaturat e larta dhe era e fortë po favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve.
Vatra e zjarrit është afruar pranë zonave të banuara, duke rritur rrezikun për banesat.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Megjithatë, ndërhyrja po has vështirësi për shkak të terrenit të thyer, i cili nuk lejon futjen e mjeteve zjarrfikëse në afërsi të vatrës.
Për këtë arsye, efektivët po përdorin mjete rrethanore për të vënë nën kontroll zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e tij drejt banesave.
Deri më tani nuk raportohen persona të lënduar apo dëme në banesa, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve vijon.