Doganat fshijnë 505 milionë lekë detyrime të papaguara – Ligji i faljes/ 264 subjekte përfituan nga skema. Procesi vijon deri në fund të vitit

Aktualitet

Publikuar: 27/06/2026

Doganat fshijnë 505 milionë lekë detyrime të papaguara – Ligji i faljes/ 264 subjekte përfituan nga skema. Procesi vijon deri në fund të vitit

Deri më tani, 264 subjekte kanë përfituar nga falja e detyrimeve doganore që kishin mbetur të papaguara deri në fund të vitit 2014. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, 505 milionë lekë rezultojnë të jenë fshirë.


Për detyrimet e papaguara deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirja automatike e detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave përkatëse.

Për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2015–2019, subjektet mund të zgjedhin ndërmjet dy alternativave: pagesën e 50% të principalit brenda datës 30 qershor 2026, duke përfituar faljen e pjesës tjetër të detyrimit dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave; ose pagesën e 75% të principalit brenda datës 31 dhjetor 2026, duke përfituar faljen e 25% të mbetur dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave.

Për detyrimet e periudhës 2020–2024, fshihen gjobat dhe kamatëvonesat në rast se paguhet i plotë detyrimi kryesor brenda datës 31 dhjetor 2026.

Në kuadër të këtij procesi, administrata doganore do të vijojë evidentimin dhe trajtimin e detyrimeve të papaguara sipas periudhave përkatëse, duke u krijuar subjekteve mundësinë për të përfituar nga fshirja ose shuarja e një pjese të detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave. Degët doganore do të vazhdojnë evidentimin e rasteve përfituese deri më 31 dhjetor 2026.

Zbatimi i këtij ligji synon të lehtësojë barrën financiare për bizneset, të nxisë formalizimin dhe të krijojë mundësi për mbylljen e detyrimeve të prapambetura nëpërmjet procedurave lehtësuese të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.