Zbardhja e vendimit të Gjykatës së Lartë, që rikthen kontrollin e aeroportit të Vlorës tek investitori kryesor MABCO, pritet të rikthejë rifillimin e punës në kantier, që ishte bllokuar prek kohësh për shkak të konflikteve mes ortakëve dhe nënkontraktorëve.
Vendimi i shkallës më të lartë të gjyqësorit rrëzon vendimet e mëparshme të dy shkallëve të gjykimit, duke i njohur MABCO-s të drejtën për të administruar projektin. Si pasojë, kompania pritet të rikthehet menjëherë në kantier për të vazhduar punimet e ndërprera.
Konflikti mes MABCO Construction të Behgjet Pacollit dhe kompanisë 2A Group të Valon Ademit kishte krijuar ditët e fundit një situatë të tensionuar në hyrjet e kantierit të aeroportit. Mosmarrëveshja solli bllokimin e hyrjes së punonjësve dhe mjeteve të nënkontraktorëve, duke pezulluar përkohësisht punimet dhe shkaktuar vonesa në ecurinë e projektit.
Me hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës së Lartë, pritet që aktiviteti në kantier të rikthehet në normalitet dhe punimet të vijojnë sipas planit.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës konsiderohet një nga projektet strategjike më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri, ndërsa autoritetet synojnë përfundimin e tij brenda afateve të parashikuara, me qëllim rritjen e kapaciteteve të transportit ajror dhe zhvillimin e turizmit në jug të vendit.