Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja/ GJKKO dënon me burg përjetë Plaurent Dervishajn! 35 vite për Julian Meçen

Kronike

Publikuar: 26/06/2026

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja/ GJKKO dënon me burg përjetë Plaurent Dervishajn! 35 vite për Julian Meçen

Gjykata e Posaçme ka dënuar me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe u plagos ish-prokurori dhe Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi”. Për Julian Meçen gjykata vendosi 35 vite burgim.

Edhe SPAK kishte kërkuar të njëjtin dënim duke e akuzuar Dervishajn, pjesë e bandës së Durrësit, se për atentatin e 7 viteve më parë ka vepruar në bashkëpunim jo vetëm me Julian Meçajn, por dhe me personazhe të tjerë si Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja, Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri. Këta të fundit po gjykohen veçmas.

Të dy të akuzuarit u arrestuan në Dubai, dhe në gusht të vitit 2024 u ekstraduan për tu përballur me akuzat: Dervishaj si organizatori i atentatit ndërsa Meçaj si një nga autorët që qëlloi në drejtim të tij. Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, sot deputet i Partisë Demokratike u zbardh plotësisht nga transkriptimi i bisedave në aplikacionin e koduar SKY/ECC, që përdorej masivisht nga elementë të krimit të organizuar në vendin tonë .

Atentati ndodhi me 1 nëntor të vitit 2019, ndërsa Ndoja dhe shoferi i tij po udhëtonin në shoqërinë e Aleksandër Lahos, një personazh i krimit të organizuar, i shpallur në kërkim dhe i njohur përmes nofkës së tij “Rrumi”.

Ndoja ka mohuar të ketë patur kontakte të mëhershme me personazhin e botës së krimit Aleksandër Laho dhe ka dëshmuar se ai njihte vëllain e tij, kurse qenia në një makinë me të ditën e atentatit ishte vetëm rastësi.