Çdo marrëveshje përfundimtare që SHBA-ja do të arrijë me Iranin do të marrë në konsideratë interesat e vendeve të Gjirit. Është garancia që u dha vendeve partnere në rajon, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, gjatë vizitës që po zhvillon në Lindjen e Mesme. Synimi i saj është bindja e aleatëve skeptikë të Gjirit, se ujdia fillestare e arritur nga administrata Trump, është e mirë.
Duke folur në një takim të ministrave të Jashtëm dhe zyrtarëve të vendeve arabe të Gjirit në Bahrejn, vend që strehon Flotën e Pestë të Marinës së SHBA-së, Rubio tha se Uashingtoni po kërkon një paqe të qëndrueshme me Iranin, e cila nuk do të cenojë sigurinë dhe prosperitetin e aleatëve të tij në rajonin e pasur me naftë.
“Ne duam që ata ta dinë këtë dhe duam ta ritheksojmë, si edhe të fillojmë të bisedojmë me ta dhe t’i përfshijmë në diskutime për çdo vendim që merret në lidhje me këto negociata. Ne nuk do të bëjmë asgjë që cenon sigurinë e aleatëve tanë, aleatëve tanë të kahershëm në rajon”, tha Rubio.
Rubio u përpoq të qetësojë edhe frikën se Irani do të vendosë tarifa për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit. “Realiteti është se asnjë vend në botë nuk ka të drejtë të vendosë tarifa për përdorimin e rrugëve ujore ndërkombëtare. Dhe kjo nuk do të jetë kurrë një kusht i pranueshëm i asnjë marrëveshjeje. Presidenti e ka bërë këtë plotësisht të qartë”, tha ai.
Të gjashtë vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (Arabia Saudite, Katari, Omani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Kuvajti) janë aleatë kyç të SHBA-së dhe kanë mbështetur logjistikisht Uashingtonin gjatë konfliktit, por gjithashtu janë goditur nga sulme iraniane.
Disa prej tyre janë të zhgënjyera nga marrëveshja e përkohshme me Iranin, të cilën e shohin si një hap drejt normalizimit me Republikën Islamike. Ajo nuk vendos kufizime për raketat balistike të Iranit dhe parashikon një fond rindërtimi prej 300 miliardë dollarësh, që sipas vendeve të Gjirit mund të rrisë ndikimin rajonal të Teheranit dhe kontrollin mbi rrugët kryesore të naftës.