Goditet rrjeti i pastrimit të parave të mafias shqiptare dhe italiane, 40 të arrestuar dhe 60 milionë euro të sekuestruara

Kronike

Publikuar: 20/06/2026

Goditet rrjeti i pastrimit të parave të mafias shqiptare dhe italiane, 40 të arrestuar dhe 60 milionë euro të sekuestruara

Goditet rrjeti kriminal i përfshirë në pastrim parash, që punonte për mafian italiane dhe atë shqiptare.

Operacioni u zhvillua nga Agjencia Tatimore, Eurojust dhe Zyra e Prokurorit Kundër Drogës. Në Itali, 40 persona janë arrestuar nën akuzat për trafik droge, emigracion të paligjshëm dhe pastrim parash, ndërsa janë sekuestruar edhe asete me vlerë mbi 60 milionë euro.

Qendra e aktiviteteve të paligjshme të organizatës ishte një bankë klandestine me bazë logjistike në Itali, e menaxhuar që prej vitit 2021 nga një shtetas kinez.

Në Spanjë, Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore ka kryer dhjetë kontrolle dhe ka arrestuar një shtetas italian, i cili drejtonte të ashtuquajturën “qelizë iberike” të rrjetit nga Marbella. Ai ishte përgjegjës për mbledhjen e parave cash në subjekte tregtare dhe futjen e tyre në “bankën klandestine”, e cila merrej me pastrimin e parave.

Hetuesit vlerësojnë se ky rrjet kriminal kishte arritur të lëvizte mes 80 dhe 100 milionë euro në vit në Evropë për të paktën tre vjet.