Pankartat u kthyen në një nga elementët më të spikatur të protestës në Tiranë, duke përcjellë mesazhe të forta politike, kritika ndaj qeverisë dhe thirrje për ndryshim.
Mijëra qytetarë po protestojnë për të 17-tën herë para Kryeministrisë, duke përcjellë mesazhe politike kritika ndaj qeverisë dhe thirrje për të shporrur kastën e vjetër të politikës.
Përgjatë tubimit, protestuesit shfaqën një larmi sloganesh dhe materialesh vizuale, duke kombinuar mesazhet politike me humorin dhe satirën. Në mesin e turmës binin në sy pankarta me mbishkrime si “Zgjohu Shqipëri!”, “Shqipëri e re” dhe “Europe, can you hear us?”, të cilat synonin të përcillnin shqetësimet e protestuesve jo vetëm brenda vendit, por edhe tek partnerët ndërkombëtarë.
Një pjesë e konsiderueshme e pankartave kishin në fokus qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Protestuesit përdorën ilustrime, fotomontazhe dhe mesazhe ironike për të kritikuar politikat qeveritare, ndërsa disa prej tyre trajtonin tema që lidhen me korrupsionin, emigracionin, drejtësinë dhe menaxhimin e projekteve publike.
Në protestë u vunë re gjithashtu pankarta që i referoheshin çështjeve mjedisore dhe debatit mbi zhvillimet në zonën e Zvërnecit.
Përmes montazheve dhe mesazheve satirike, protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë mjedisin dhe pasuritë natyrore të vendit.Krahas mesazheve politike, pjesëmarrësit përdorën edhe forma kreative proteste. Disa mbanin flamingo, ndërsa të tjerë kishin përgatitur pankarta me referenca nga kultura popullore dhe rrjetet sociale, duke i dhënë tubimit një dimension më të gjerë komunikimi dhe duke tërhequr vëmendjen e publikut.
Një nga mesazhet që u përsërit më shpesh gjatë marshimit ishte kërkesa për ndryshim politik dhe forcim të institucioneve demokratike. Përmes pankartave, protestuesit kërkuan më shumë transparencë, luftë kundër korrupsionit dhe përmirësim të standardeve të jetesës, duke argumentuar se këto mbeten ndër sfidat kryesore me të cilat përballet vendi.
/Pamfleti





