Nurellari: Berisha si Dodiku, sulmoi protestën kundër projektit në Zvërnec se kishte hallin e lobimit për heqjen e non gratës

Aktualitet

Publikuar: 12/06/2026

Nurellari: Berisha si Dodiku, sulmoi protestën kundër projektit në Zvërnec se kishte hallin e lobimit për heqjen e non gratës

Politologu Adri Nurellari ka komentuar pretendimin e Sali Berishës për heqjen e sanksioneve si non grata nga SHBA. Ky zhvillim i ri, sipas tij, jep një shpjegim pse Berisha dhe Partia Demokratike nuk e mbështetën protestën e qytetarëve që kundërshtonin projektin e Kushnerit në Zvërnec, duke bërë opozitën e opozitarizmit.

Nurellari mendon se, duke mos sulmuar projektin, Berisha nuk rrezikonte komplikimin e marrëdhënieve të tij me rrethin politik të Trumpit, në një kohë kur prioriteti kryesor i kreut të PD ishte heqja e non gratës.

Postimi i Nurellarit:

Heqja e non grata-s jep një shpjegim të dytë përse Berisha dhe Partia Demokratike bëri opozitën ndaj opozitarizmit. Nëse do të mbështeste një protestë që sfidonte projektin e Kushnerit ai rrezikonte të komplikonte marrëdhëniet e tij me rrethin politik të Trumpit në një kohë kur prioriteti kryesor mbetet heqja e non grata-s. Në vend që opozita të mbështeste një lëvizje kundër qeverisë ajo zgjodhi ta sulmonte atë. Në çdo vend normal, partia kryesore opozitare do ta ushqente, do ta promovonte dhe do ta konsideronte aleate një protestë të tillë. Këtu ndodhi e kundërta. Për mua kjo ngjan me logjikën që ndoqi Dodiku vitin e kaluar; kur rehabilitimi politik ndërkombëtar bëhet prioritet, kauzat lokale sakrifikohen. Prandaj me sa duket sulmet ndaj protestuesve s’ishin rastësi por pjesë e një kalkulimi politik shumë të vetëdijshëm.

Pra sulmet ndaj Revolucionit të Flamingove zbuluan dy frikëra të ndryshme: Së pari, lëvizja sfidoi monopolin e opozitës mbi përfaqësimin e pakënaqësisë qytetare, duke treguar se kundërshtimi ndaj qeverisë mund të artikulohet edhe jashtë strukturave partiake. Revolucioni Flamingo po demonstronte se qytetarët mund të organizohen pa bekimin e opozitës tradicionale. Së dyti, mbështetja e një proteste kundër projektit të Kushnerit mund të komplikonte lobimin e Berishës pranë familjes Trump për heqjen e non grata-s. 

Kështu u krijua një situatë paradoksale ku partia që teorikisht duhej të ishte aleatja më e madhe e protestuesve u shndërrua në një nga kritikët e tyre më të zëshëm. Për këtë arsye, sulmet ndaj protestuesve mund të lexohen jo vetëm si mbrojtje e monopolit tradicional të opozitës mbi kundërshtimin politik, por edhe si pjesë e një kalkulimi më të gjerë politik e personal.