Duket se nga nevoja për të kapitalizuar protestën e qytetarëve, e cila ditët e fundit ka nxjerrë nga skena e diskursit politik Partinë Demokratike, Sali Berisha është gati të mbështesë çdo thirrje të tyre. Madje, edhe atë më të paimagjinueshmen: thirrjen për futjen e tij në burg.
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, Berisha tha se PD e mbështet plotësisht protestën e qytetarëve që mblidhen në Bulevard, ndonëse ata prej 10 ditësh thërrasin “Berisha n’burg”.
Edhe pse në ditët e para e kundërshtoi protestën, sot ai ka urdhëruar militantët e PD që të dalin pa logon e partisë në Bulevard.
“Çdo demokrat dhe çdo mbështetës i opozitës duhet ta mbështesë me të gjitha mënyrat atë protestë. Duhet ta mbështesë kësaj here pa simbolet e partisë, le të jenë të rralla, sepse është protestë qytetare rinore. Ndaj dhe ftesa ime është që çdo mbështetës, simpatizant, çdo anëtar dhe anëtare e PD-së duhet të jetë në protestë. Protestën duhet ta bëjmë më rinore dhe qytetare që ka parë vendi deri më sot”, tha Berisha.