Kryeministri Edi Rama tha sot se për vite me radhë kishte shmangur vizitën në Tivat, pasi nuk dëshironte të shihte nga afër Porto Montenegro, projektin që sipas tij mund të ishte ndërtuar në Durrës, por që përfundoi në Mal të Zi.
Në rubrikën e tij “Shënimet e javës”, duke komentuar pjesëmarrjen në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, Rama tha se kishte krijuar një lloj “fiksimi emocional” për të mos shkuar në qytetin malazez.
“Nuk doja ta shikoja Porto Montenegro-n, sepse është një top që i ka kaluar për shalësh Shqipërisë dhe ka përfunduar në Mal të Zi”, u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, investitori që ndërtoi kompleksin luksoz në Tivat kishte planifikuar fillimisht ta realizonte projektin në Durrës, pranë amfiteatrit romak, por u largua nga Shqipëria për shkak të kërkesave për përfitime personale nga pushtetarët e asaj kohe.
Megjithatë, Rama vlerësoi samitin e zhvilluar në Tivat si një nga takimet më të rëndësishme të kohëve të fundit për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Ai theksoi se Shqipëria u vlerësua nga partnerët europianë si një vend pranë anëtarësimit në BE dhe si një shtet që ka bërë progres të dukshëm në procesin e integrimit.
“Shqipëria u vlerësua si një vend që është pranë anëtarësimit. Vlerësimi është maksimal, mbështetja është maksimale, por punën duhet ta bëjmë vetë”, deklaroi Rama.