KAS vendos të shqyrtojë çështjen e Kryebashkiakut të Kuçovës, Maliqi: Hajdari të shkarkohet!

Aktualitet

Publikuar: 05/06/2026

KAS vendos të shqyrtojë çështjen e Kryebashkiakut të Kuçovës, Maliqi: Hajdari të shkarkohet!

Komisioni i Ankesave në KQZ (KAS) pranon të shqyrtojë në themel kërkesën e ish-deputetit Lefter Maliqi për shkarkimin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari mbi rezultatet e hetimeve dhe verifikimeve të Prokurorisë dhe vendimit të Gjykatave që e ka dënuar për fshehjen e një vendimi në Greqi për falsifikim.

Vendimi pritet të shpallet ditën e hënë, për t’i hapur rrugë procedurave të tjera dhe nuk përjashtohet që kërkesa të pranohet në themel dhe çështjes t’i jepet zgjidhje që në KAS apo më tej në Administrative.

Në dalje të institucionit, Maliqi tha se bashkia e Kuçovës duhet t’i kthehet qytetarëve dhe përshëndeti aktin e KAS, duke theksuar se ata do i shkonin deri në fund çështjes për drejtësi.

“Kam bërë 11 kallëzime penale ndaj tij. Kjo histori nuk ka ndodhur kurrë më parë. Do e çojmë deri në fund këtë të drejtë, pasi është një betejë morale. Hajdari i dënuar me formë të prerë me 150 orë punë në publik për falsifikim të formularëve, por nën hetim edhe për tenderat korruptivë.

Do ta çojmë deri në fund këtë betejë. Falenderojmë edhe KAS për marrjen e çështjes për shqyrtim e gjykim në themel dhe shpalljen e vendimit ditën e hënë. Besojmë se vendimi do jetë i drejtë deri në fund sepse janë disa etapa deri në Gjykatën Administrative.

Ne do ta vazhdojmë betejën, avokati do ju flasë më shumë, shpresoj që drejtësia të veprojë dhe bashkia t’i kthehet shumë shpejt qytetarëve”, tha Maliqi mes të tjerash.

Dhe më tej shtoi se: Ditën e hënë do të mblidhet KAS në orën 9:00. Si kjo histori nuk ka ndodhur asnjëherë në vend ku një kryetar apo kandidat të vetëm në Shqipëri që të jetë i dënuar dhe të fshehë këtë fakt në formularin e dekriminalizimin. Falënderojmë KAS-in që mori përsipër këtë çështje, kjo betejë do të vijojë. Shpresoj që kjo zgjedhje të jepet sa më shpejt dhe Kreshnik Hajdari të shkarkohet.