Siguroi kushtet për të vrarë Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn, GJKKO dënon me 7 vite burg ndihmësin e Leonard Luzit

Kronike

Publikuar: 04/06/2026

Siguroi kushtet për të vrarë Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn, GJKKO dënon me 7 vite burg ndihmësin e Leonard Luzit

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 7 vite e 4 muaj burg Erio Zejno, anëtarin e grupit kriminal që planifikuan të vrisnin Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn në Vlorë më gusht të 2023-it.

Vitin e kaluar (10 janar 2025) Gjykata e Posaçme dënoi me nga 11 vite Leonard Luzin e Muharrem Korroveshin dhe 2 vite e 9 muaj burg Amarildo Nikollin, që fitoi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Luzi dhe Koroveshi u shpallën fajtor si personat që ishin të interesuar për vrasjen e Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashaj.

Plani i vrasjes

Hetimi i strukturës së posaçme ka provuar me prova se Leonard Luzi, është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e dy shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla ku shkak dyshohet të janë përplasjet për lojërat e fatit.

Leonard Luzi, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë i pandehuri Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori si dhe Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, në rolin e ndihmësit.

Koroveshi dhe Zejno, kanë sjellë armët në banesën e të pandehurit Amarildo Nikolli në Vlorë, kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv i atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli, në largimin nga vendi i ngjarjes.

Megjithatë atentati dështoi pasi më 7 gusht të 2023 policia arrestoi Amarildo Nikollin në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, në qytetin e Vlorës. Gjatë kontrollit fizik blutë sekuestruan një pistoletë me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 (katërmbëdhjetë) fishekë, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes.

Njoftimi i plotë

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Erio Zejno, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasve E.M, i njohur me pseudonimin “****”, dhe I.H i njohur me shkurtim emri “****”, ose me nofkën “****”; “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal”; “Grupi i strukturuar kriminal” në rolin e pjesëmarrësit; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 278/1, 28/4, 333/a/2, 334 të Kodit Penal”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Irena Gjoka dhe Marinela Osmani, me vendimin nr. 47, datë 04.06.2026 vendosi: 

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Erio Zejno për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve E.M, dhe I.H, në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij 7 (shtatë) vjet burgim. – – – Deklarimin fajtor të të pandehurit Erio Zejno për  kryerjen e veprës penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi 1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij 10 (dhjetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Erio Zejno për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe, dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim. Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Erio Zejno me një dënim të vetëm prej 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.

– Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Erio Zejno, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 7 (shtatë) vjet e 4 (katër) muaj burgim. – Vuajtja e dënimit të pandehurit i fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

2. Në lidhje me provat materiale, gjykata është shprehur në vendimin e saj nr. 4 datë 10.01.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar.

3. Shpenzimet proceduriale, të kryera gjatë hetimit paraprak në shumën 37,785 lekë (tridhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e pesë) lekë i ngarkohen të pandehurit Erio Zejno në mënyrë solidare me bashkëpandehurit e tjerë të të njëjtit procedim (nr.148/1 të vitit 2024 të Prokurorisë së Posaçme), si dhe ato të gjykimit, sipas procesverbalit të shpenzimeve bashkëngjitur këtij vendimi, i ngarkohen të pandehurit Erio Zejno. 

 4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

/shqiptarja.com