“Protesta duhet mbështetur, por po ashtu edhe investimet e huaja”, Ermal Hasimja: Të vendosen pikat mbi “i”

Kronike

Publikuar: 04/06/2026

“Protesta duhet mbështetur, por po ashtu edhe investimet e huaja”, Ermal Hasimja: Të vendosen pikat mbi “i”

Politologu Ermal Hasimja ka reaguar lidhur me zhvillimet e ditëve të fundit që kanë pasuar protestat kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

Pas protestës së banorëve të Zvërnecit, e cila nisi të shtunën, protestat janë shtrirë edhe në Tiranë, ku prej katër ditësh qytetarë dhe aktivistë kanë dalë kundër projektit që parashikohet të ndërtohet në këtë zonë të mbrojtur natyrore.

Përmes një postimi në Facebook, Hasimja thekson se protesta qytetare është legjitime dhe meriton mbështetje, por njëkohësisht nënvizon se vendi ka nevojë edhe për investime të huaja serioze, të cilat sipas tij duhet të realizohen në përputhje me ligjin, transparencën dhe interesin publik.

“Protesta duhet mbështetur. Ajo është e drejtë dhe ia doli të nxjerrë në shesh kategori njerëzish që partitë politike nuk i arrinin dot. Investimet e huaja serioze janë të domosdoshme për vendin, por duhen bërë në respekt të ligjit dhe interesit kombëtar”,shkruan Hasimja, duke theksuar po ashtu se është e gabuar që përgjegjësia për situatën të shpërndahet në mënyrë të përgjithshme tek e gjithë politika, pasi kjo sipas tij i shërben vetëm shmangies së përgjegjësive konkrete.

Unë personalisht mendoj se është gabim që protesta të barazojë gjithë politikën pa dallim. Në fakt kjo është teza e Rilindjes: në kushtet kur vendi kalbet në korrupsion e vjedhje, të gjithë politikanët janë njësoj. Por nuk janë njësoj. Zvërneci është produkt i Rilindjes, njësoj si Thethi e shumë të tjerë. Ligjin për Zonat e Mbrojtura nuk e ndryshoi PD-ja (në fakt e kundërshtoi hapur ndryshimin), as “Mundësia” e as “Shqipëria Bëhet”. E ndryshoi Rilindja. Lejen për zhvillim e dha përsëri Rilindja. Nuk kam parë ndonjë përfaqësues socialist të mbështesë protestën, por kam parë plot demokratë që e mbështesin, ashtu siç kam parë aty Lapajn e Shehajn.

Nëse përgjegjësia shpërndahet kudo e në drejtim të paditur Rilindja do t’ia dalë të heqë përgjegjësinë nga vetja, sepse përgjegjësia e përgjithshme është përgjegjësi e askujt.

Natyrisht elita aktuale politike, përfshirë edhe opozitën, ka pafund probleme dhe duhet të ndryshojë në njerëz e vlera. Por është shumë më e drejtë dhe më efikase të vesh pikat mbi i për përgjegjësitë konkrete aktuale, sepse kështu krijon edhe një shembull parandalues për këdo, qoftë për ata që janë përgjegjës kësaj here e qoftë për opozitën që mund të vijë në pushtet nesër.

Protesta duhet mbështetur. Ajo është e drejtë dhe ia doli të nxjerrë në shesh kategori njerëzish që partitë politike nuk i arrinin dot. Investimet e huaja serioze janë të domosdoshme për vendin, por duhen bërë në respekt të ligjit dhe interesit kombëtar.