Aeroporti i Vlorës/ Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Valon Ademit, i rikthen ‘Mabco’-s së Behgjet Pacollit të drejtën për administrimin

Kronike

Publikuar: 26/05/2026

Aeroporti i Vlorës/ Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Valon Ademit, i rikthen ‘Mabco’-s së Behgjet Pacollit të drejtën për administrimin

Kompania ‘Mabco’ e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli ka fituar gjyqin në Gjykatën e Lartë për çështjen e aeroportit të Vlorës. Kolegji administrativ i Gjykatës së Lartë ka vendosur të rrëzojë padinë e bërë nga shoqëria “2A Group” e drejtuar nga biznesmeni Valon Ademi. Me këtë vendim të Gjykatës së Lartë kompania ‘Mabco’ fiton të drejtat mbi aeroportin e Vlorës.

Ademi kishte kërkuar “pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut dhe të drejtës së votës, dhe nisjen e procedurës së përjashtimit të ortakut nga shoqëria”.

Të dyja palët janë në një përplasje prej disa ditësh në kantierin e aeroportit pasi kompania “2A Group” nuk lejon punonjësit e “Mabco”-s të hyjnë. Vendimi mund të ndikojë në acarimin e marrëdhënieve mes palëve.

Më herët Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit, i kishin dhënë të drejtë kompanisë 2A Group në lidhje me kërkesën për sigurimin e padisë dhe pezullimin e të drejtave vendimmarrëse të ortakut tjetër, ‘Mabco’, me argumentin se vendimi parandalon tjetërsimin e aksioneve derisa të merrte formë të prerë.

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, tha disa ditë më parë se do të nisnin penalitetetnë respektim të kontratës e deri në “prishje” të koncesionit.

“Klauzolat e kontratës parashikojnë së pari vendosjen e penaliteteve për të cilat patjetër ministria në varësi të gjithë vonesave përkatëse dhe në bazë të kushteve të kontratës do vijojë me përcaktimin e tyre dhe pastaj vijojnë që nga dërgimi i një plani mitigues për rregullimin e pasojave të kontratës që mund të rezultojë në shtyrje të afatit të kontratës koncesionare apo deri dhe në zgjidhjet e njëanshme të kontratës koncesionare në varësi të le të themi argumenteve ligjore përkatëse”, u shpreh Karakaçi.

Përplasja mes dy ortakëve nisi në dhjetor të vitit të shkuar për çështjen e aksioneve dhe menaxhimin e aeroportit në qytetin bregdetar. Biznesmeni Ademi ka bërë edhe një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me këtë çështje.

Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Të tre ata janë nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.

/shqiptarja.com