FOTOT/ Refuzuan Berishën dhe shkruajtën emrin e Salianjit në fletën e votimit, ish deputeti: Falenderim për demokratët që braktisën farsën

Politikë

Publikuar: 23/05/2026

FOTOT/ Refuzuan Berishën dhe shkruajtën emrin e Salianjit në fletën e votimit, ish deputeti: Falenderim për demokratët që braktisën farsën

Demokratët e pakënaqur me Sali Berishën, i cili përjashtoi 5 rivalë nga gara për kreun e PD, nuk kanë ngurruar që t’i çojnë një mesazh kreut të PD.

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, një nga të përjashtuarit nga gara, ka publikuar disa foto në rrjetin e tij social Facebook, ku demokratë në fletën e votimit nuk kanë votuar për Berishën, por kanë shkruar emrin e Salianjit.

Ky i fundit u shprehu mirënjohjen që braktisën farsën e uzurpimit.

Postimi i Salianjit:

Falenderim dhe mirënjohje për çdo demokrat që sot ka zgjedhur të shënojë qartësisht preferencën e tij.

Po më vijnë qindra mesazhe dhe foto nga demokratë që, përmes votës, shkrimit të emrit apo refuzimit të farsës, po tregojnë se Partia Demokratike nuk është pronë personale. Ju jam mirënjohës secilit nga Shkodra në Korçë, Vlore, Kukës, Fier, Dibër, Elbasan, Gjirokastër, Berat, Lezhe, Durres e Tiranë. Nga çdo degë po vërshojnë reagimet dhe fotot e fletes se votimit! 

Falenderim edhe për mijëra demokratë të tjerë që e kanë braktisur dhe përbuzur farsën e uzurpimit të Partisë Demokratike për interesa personale.

Kur gara vritet, kur alternativa përjashtohet dhe kur vula përdoret për të mbajtur peng opozitën, demokratët dinë të reagojnë me dinjitet.

Këto mesazhe janë më shumë se mbështetje personale. Janë një refuzim i frikës, i imponimit dhe i shndërrimit të PD-së në një strehë për interesa personale! 

Ne nuk dorëzohemi.

Do ta çmontojmë këtë farsë me kurajo, me demokratë të lirë dhe me besimin se Partia Demokratike do t’u kthehet anëtarëve dhe qytetarëve.