Skënder Hita përjashton nga policia Uljan Shpatarakun, ‘ushtarin’ e Ilir Prodës

Kronike

Publikuar: 21/05/2026

Skënder Hita përjashton nga policia Uljan Shpatarakun, ‘ushtarin’ e Ilir Prodës

Një nga oficerët më të afërt me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është përjashtuar zyrtarisht nga radhët e policisë. Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka firmosur largimin e Ulian Shpatarakut, emër i përfolur prej vitesh në dosje sensitive të AMP-së, SHISH-it dhe strukturave ligjzbatuese.

Shpataraku mbante detyrën e asistentit në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit në Policinë e Shtetit, por prej muajsh ishte pezulluar nga detyra me urdhër të drejtorit të komanduar Sokol Bizhga për “mosparaqitje të rregullt në punë”.

Sipas burimeve, ai justifikohej me ndjekjen e studimeve master në Akademinë e Sigurisë, por dyshohet se për një kohë të gjatë nuk paraqitej fare në detyrë, ndërsa vijonte të paguhej nga Policia e Shtetit.

Por problemi i Shpatarakut nuk lidhet vetëm me mungesat në punë.

Emri i tij ka qenë prej kohësh objekt raportimesh dhe hetimesh të strukturave të sigurisë, pasi rezulton i proceduar penalisht për lirimin e një të shumëkërkuari për trafik droge.

Më 31 janar 2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e pezulluan nga detyra dhe e çuan për gjykim, pasi sipas hetimeve, më 14 shtator 2022 kishte kapur trafikantin e shumëkërkuar E. Filja, por më pas e kishte liruar duke mos zbatuar urdhrin e prokurorisë.

Vendimi i pezullimit u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.

Gjatë hetimeve dolën dyshime edhe për lidhjet e tij me figura të botës së krimit në Elbasan dhe Durrës. Raporte të SHISH-it, AMP-së dhe strukturave partnere e përmendin Shpatarakun në episode të dekonspirimit të operacioneve policore, mosraportimit të aktiviteteve kriminale dhe fshehjes së denoncimeve.

Në disa prej këtyre raporteve përmendet edhe emri i Ilir Prodës, me të cilin Shpataraku kishte lidhje të afërta profesionale që nga koha kur Proda drejtonte strukturat e policisë në Elbasan.

Sipas raportimeve, pavarësisht problemeve ligjore dhe dyshimeve të shumta, Shpataraku jo vetëm që nuk u largua nga sistemi gjatë drejtimit të Prodës, por u promovua në poste të rëndësishme.

Më 3 tetor 2024, ditën kur Ilir Proda mori drejtimin e Policisë së Shtetit, në vend të tij në Elbasan u komandua pikërisht Ulian Shpataraku. Më pas ai u transferua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe u tentua të emërohej drejtor policie në Korçë.

Burime pranë strukturave të sigurisë kanë bërë me dije se emërimi i tij në Korçë u kundërshtua pas reagimeve të partnerëve ndërkombëtarë dhe strukturave si Europol, çka detyroi Prodën të tërhiqej nga vendimi.

Largimi i Shpatarakut shihet si një nga goditjet e para të forta në kupolën e krijuar gjatë drejtimit të Ilir Prodës në Policinë e Shtetit, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë edhe lëvizje të tjera në radhët e drejtuesve të lidhur me të.

/pamfleti