Plagosi me armë zjarri policin që po e shoqëronte, Gjykata lë në burg 45-vjeçarin

Kronike

Publikuar: 21/05/2026

Plagosi me armë zjarri policin që po e shoqëronte, Gjykata lë në burg 45-vjeçarin

Gjykata e Beratit ka caktuar masën “arrest me burg” për Zamir Skënderin, autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të efektivit të policisë Arsen Toska, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 18 majit.

45-vjeçari nga Kuçova u paraqit në ambientet e Gjykatës nën masa të rrepta sigurie, ndërsa seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura.

Prokurorja e çështjes, Marilda Frashëri, pasi paraqiti rrethanat e ngjarjes, kërkoi cilësimin të ligjshëm të arrestimit dhe caktimin e masës “arrest me burg” ndaj Skënderit për veprat penale “Vrasja me dashje e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë detyrës ose për shkak të saj” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës deklaroi se ngjarja kishte ndodhur në një gjendje të rënduar psikologjike të autorit, i cili sipas tij ishte nën efektin e lëndëve narkotike.

Vetë Skënderi ka shprehur pendesë para gjykatës, duke deklaruar se “nuk mban mend se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur”.

Në përfundim, gjyqtarja Elkida Olldashi vendosi të cilësojë të ligjshëm arrestimin dhe të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për 45-vjeçarin.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 18 majit në dalje të fshatit Kutalli të bashkisë Dimal. Zamir Skënderi kërkohej nga Kuçova, por arrestimi i tij u bë në Fier dhe duhej transportuar.

Gjatë lëvizjes me automjetin e policisë në aksin Fier–Kutalli, 45-vjeçari i ka marrë armën e shërbimit në brez efektivit të policisë që e shoqëronte, Arsen Toska, 20 vjeç, në pjesën e pasme të mjetit dhe ka qëlluar 1 herë në drejtim të tij, duke e lënë të plagosur në kofshë.

Mes policit dhe të arrestuarit nuk ka pasur asnjë përleshje, pasi veprimi i Skënderit ka qenë i menjëhershëm.

Pas ngjarjes, ai ka tentuar të arratiset, por është neutralizuar dhe arrestuar nga efektivët që ndodheshin në automjetin tjetër të policisë. 

/pamfleti