Gjykata e Tiranës ka kthyer mbrapsht padinë e Evi Kokalarit për pezullimin e menjëhershëm të zgjedhjeve për kryetar të Partisë Demokratike.Gjykata është shprehur se kërkesa ka të meta sepse nuk plotëon kriteret formale-proceduriale.
“Kërkesa është vlerësuar nga Gjykata brenda afati ligjor, në përfundim gjykata ka vendosur kthimin e kërkesës me të meta, për shkak të mos plotësimit të kritereve formale-proceduriale të parashikuara nga legjislacioni procedural civil (nenet 154-156 Kodit të Procedurës Civile)”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, cilëson se vendimi nuk është përfundimtar sepse paditësi mund ta paraqesë sërish kërkesën duke plotësuar boshllëqet. Në të kundërt, mund të zgjedhë rrugën e ankimit në Apel brenda 5 ditëve.
“Gjykata ka theksuar gjithashtu, se vendimi për kthimin me të meta të kërkimit nuk përfaqëson një vendim përfundimtar (nuk e zgjidh çështjen ne themel), pala kërkuese pasi të plotësojë të metat sipas konstatimit të gjykatës ka të drejtë të drejtohet përsëri në gjykatë. Në rast të kundërt ka të drejtën e ankimit të veçantë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar”, arsyeton gjykata.