Afera CEZ-DIA është pjesë e një prej skandaleve më të mëdha financiare në historinë e pluralizmit në Shqipëri, atë shitjes së 75% të aksioneve të shoqërisë shtetërore OSSH nga qeveria Berisha tek CEZ të në vitin 2009, favorizimet e njëpasnjëshme të CEZ dhe përzënien e dhunshme të CEZ nga Shqipëria në vitin 2013, lëvizje kjo me prapaskenë elektorale dhe korruptive. Një vit pasi Sali Berisha dhe ministrat e tij firmosën privatizimin OSSH, me një mijë pika të errëta dhe favorizime, në skenë u shfaq biznesmeni Kastriot Ismailaj, i cili krijoi kompaninë Debt International Advisory (DIA), në Ishujt Virgjin Britanikë, në 7 korrik 2010.

Më 4 gusht 2010, DIA regjistroi degën e saj në Tiranë, me administrator Ismailajn. Në shtator 2010, CEZ hyri në partneritet me DIA për të mbledhur faturat e papaguara të energjisë elektrike. Për të fituar kontratën me CEZ, DIA përdori dokumente false. E gjithë kontrata, sipas prokurorëve, bazohej në gënjeshtra, sajesa dhe dokumente false, ndërsa kompania DIA ekzistonte vetëm në letra. Sipas ‘kontratës’, CEZ duhet t’i paguante DIA një tarifë fikse 512 mijë euro në muaj, plus edhe tarifën e ‘suksesit’. Ismailaj paraqiste letra false, merrte paratë dhe i zhdukte.
Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg (bëri 9 vite), dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qenë mbledhja e borxhit për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave në shoqёrinё “CEZ Shpërndarja”, në bashkëpunim me përfaqësues të CEZ. Nga ana tjetër, CEZ ngrite pretendime për njohjen e borxhit të keq tek qeveria Berisha, e cila i pranonte.

Përpos Kastriot Ismailaj, për aferën CEZ-DIA u arrestua edhe Ilir Meta, i cili ndodhet në burg që prej tetorit 2024. Por, Ilir Meta dhe Kastriot Ismailaj nuk janë protagonistët dhe përfituesit e vetëm nga skema korruptive CEZ-DIA me mbledhjen fiktive të borxhit të CEZ dhe favorizimin e CEZ nga pushteti në dëm të taksapaguesve shqiptarë, sidomos me uljen e shitjes së çmimit të energjisë nga ERE.
Një rreth zyrtarësh, ish zyrtarësh dhe biznesmenësh rrufjanë, janë implikuar dhe kanë përfituar nga veprimtaria korruptive e CEZ, por që deri më sot nuk janë ndëshkuar. Përveç DIA-s, CEZ ka kontraktuar edhe disa kompani të tjera, të cilat janë angazhuar për mbledhjen fiktive të borxhit të keq, ashtu si DIA.
Kompanitë janë;
ELITE CONSULTING, Erisela Brahimllari
CONSTAL, Bardhyl Hysenbelliu
CE2 SERVICES, CE2 DEBT MANAGEMENT, ALBANIAN TELECOMMUNICATIONS UNION, Foto Zbogo
EOS, MERCL CONSULTING
Kompania ELITE CONSULTING, me objekt shërbim për mbledhjen e borxheve, është në pronësi të Eriselda Brahimllari, me dosje për skema mashtrimi dhe pastrim parash. Kompania është themeluar në janar 2011 në kuadër të aferës së CEZ me mbledhjen fiktive të borxhit të keq. Eriselda Brahimllari është bashkëshortja e Elvis Matajt, drejtorit ekzekutiv të kompanisë DIA të Kastriot Ismailajt. Elvis Mataj, ish kryetar i LRI, ka qenë dora e besuar e Ilir Metës në aferën CEZ-DIA me kosto zhvatje miliona euro.

Krahas realizimit të aferës korruptive CEZ-DIA si drejtor ekzekutiv i DIA-s, Elvis Mataj është angazhuar në një skemë paralele mashtrimi përmes bashkëshortes Eriselda Brahimllari me kompaninë ELITE CONSULTING, e cila ka përfituar miliona euro nga ndërmjetësimi i mbledhjes së borxheve. Krahas mbledhjes fiktive të borxhit, kompania nuk ka deklaruar fitimet. Bëhet fjalë për fshehje të TVSH dhe detyrimeve fiskale të përfituara nga veprimtaria si ndërmjetës.
Në vitin 2025, Prokuroria e Tiranës hapi një dosje penale për aktivitetin kriminal të kompanisë ELITE CONSULTING, duke marrë nën hetim Eriselda Brahimllarin. Për çudi çështja e saj u pushua edhe pse bashkëpunëtorët e saj u dënuan. Elite vazhdoi mashtrimet.

Prapaskena ka zbuluar se Elvis Mataj ka ndërtuar një perandori biznesesh mashtruese që fillojnë nga kompania famëkeqe e mbledhjes së borxheve “Elite Consulting”, kompania e mikrofinancës “Quick Loans”, kompania e përmbarimit Global Bailiff’s Offfice”, “Elite Bailiff’s Office” deri te kompania “Ecosun Albania” që po kërkon nga qeveria licenca për panele diellore mbi 100 mgw. Dy piceritë dhe restorantet mashtruesi Mataj i ka për kruajtëse dhëmbësh.
Kompanitë e Elvis Matajt:
Me Elite Consulting bashkë me Hakanin e Iutecredit Albania ka zhytur në borxhe 20 mijë viktima të blerjeve të vogla nëpër dyqanet e telefonave dhe elektroshtëpiakeve nëpër qendra tregtare. Askush nuk i prek bizneset e “pentitos” Elvis Mataj.

Elvis Mataj kujtohet kur dëshmoi kundër Kastriot Ismailajt për çështjen CEZ-DIA. Shteti e mori në mbrojtje me forca speciale “pentiton”. Më pas e ndryshoi dëshminë. Kur Mataj dëshmonte për aferën CEZ-DIA të Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt, Ilir Meta e akuzonte si mashtrues dhe si i marrë peng me dosje. Kur Mataj dëshmonte se nuk dinte asgjë për raportin korruptiv mes Metës dhe Ismailaj, dëshmia e tij tundej nga Meta si ‘provë’ për pafajësinë e tij.
Pas dëshmisë Mataj “u zhduk” jashtë shtetit me Eriseldën,por në të vërtetë ka qënë gjithnjë këtu në Shqipëri me një tufë kompanish që kanë bërë miliona dhe askush nuk pyeti se si drejtoheshin nga ekzili prej Matajt.
Edhe pse ishte bashkëpuntori kryesor i Kastriot Ismailiaj ai nuk u dënua kurrë. Madje u la që zanatin e mbledhjes së borxheve ashtu si e bëri me CEZ, ta vazhdonte për një dhjetëvjeçar me Elite Consulting. Dëmet e Elite për dhjetë vjet janë më mëdha se mashtrimi CEZ-DIA.