Ilir Panda rrëzon SPAK për Linda Karçanajn. Shkelje syri për postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë?

Aktualitet

Publikuar: 07/05/2026

Ilir Panda rrëzon SPAK për Linda Karçanajn. Shkelje syri për postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë?

Ilir Panda është gjykatësi i guximshëm që ‘theu akullin’, pasi mori përsipër të ndryshojë masën e sigurisë për ish drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje, pavarësisht së gjatë ditëve të fundit, për zonjën Kaçanaj, kanë dalë fakte të reja rënduese, të cilat shtojnë peshën e akuzës për grup të strukturuar kriminal sipas nenit 333 të Kodit Penal. Vendimi i befasishëm dhe kundër rrymës i anëtarit të Gjykatës së Lartë ngre dyshime të forta për flirt, trajtimi preferencial dhe operim me standarde të dyfishta.

Sipas burimeve brenda SPAK, dyshja e prokurorëve Altin Dumani dhe Bledar Maksuti janë thellësisht të pakënaqur dhe ndihen të sfiduar nga vendimi i guximshëm i gjyqtarit Ilir Panda, i cili rrëzoi SPAK-un për Linda Karçanajn, të cilës çdo javë i zbulohet nga një shtëpi e re. Vendimi ka krijuar tension dhe reaksion në SPAK. Ndonëse nuk dihet se në cilën formë, por pritet një reagim nga SPAK-u.

Po çfarë fshihet pas vendimit të Ilir Pandës? A është ky vendim nisja e një ere të re për zbutjen e masave të sigurisë apo një kemi të bëjmë me llogari karrieriste të gjyqtarit Panda?

Në rrethet e drejtësisë dhe politike flitet për flirte të hapura të gjyqtarit Ilir Panda me pushtetin, pasi pretendon të bëhet së shpejti kreu i Gjykatës së Lartë. Ndaj zbutja e masës së sigurisë për Linda Karçanaj, shikohet si një shkelje syri Ilir Pandës ndaj pushtetit për postin e kryetarit të Gjykatës së Larë, post të cilin aktualisht e mban Sokol Sadushi.