Ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Sne?ana Paunovi?, lidhur me luftën në Kosovë, duke e cilësuar atë të papranueshme dhe fyese për viktimat e luftës.
Në reagimin e saj, Spiropali shprehet se është e pabesueshme që një ministre e një vendi që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian të shprehë keqardhje se në Kosovë “nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar”.
“Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet. Ky nuk është mendim politik. Ky është barbarizëm verbal”, shkruan Spiropali.
Reagimi i plotë i Elisa Spiropalit:
E pabesueshme të dëgjosh nga një ministre e një qeverie të një vendi që aspiron integrimin europian të shprehë pa asnjë drojë keqardhjen se në Kosovë nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar.
Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet.
Ky nuk është mendim politik.
Ky është barbarizëm verbal.
Europa nuk mund ta dëgjojë këtë gjuhë dhe të heshtë. Kush justifikon ose shpreh keqardhje për krime që nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha, nuk mund të jetë partner i vlerave europiane, duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale, por më së shumti humane.
Kosovës nuk ia fali kush Lirinë. Kosova Lirinë e fitoi me gjak. Është në nderin dhe detyrën e Europës të mbrojë kujtesën e viktimave, që përbën themelin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar.
Nëse Serbia rrugën drejt Bashkimit Europian e ka seriozisht, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj këtij makabriteti verbal që, më së paku, e turpëron, më së shumti ia rrezikon bashkëjetesën paqësore me fqinjët.