Prej më shumë se dy vitesh, autoritetet shqiptare kishin vënë nën monitorim lëvizjet e Ervin Matës në disa vende të Amerikës Latine. Në çastin e arrestimit nga policia braziliane, atij iu sekuestruan disa dokumente të falsifikuara. Sipas burimeve, Mata mbante një pasaportë bullgare false, e cila kishte skaduar në vitin 2024. Po ashtu, iu gjet edhe një kartë identiteti bullgare, e vlefshme deri në vitin 2029, gjithashtu e falsifikuar. Ndërkohë, ai posedonte edhe një kartë identiteti të Paraguajit, ku si vendlindje figuronte Mbretëria e Bashkuar. Ky dokument dyshohet se përdorej kryesisht për lëvizjet e tij në disa shtete të Amerikës Latine. Mata është arrestuar me disa persona të tjerë.
Mata dyshohet se kishte krijuar bazë lëvizjeje mes Paraguajit dhe Brazilit. Burime bëjnë me dije se Mata shoqërohej me persona nga grupe kriminale paraguajane, çka ka ngritur dyshime për lidhje të forta me rrjete të trafikut atje. Sipas të dhënave, ka shumë mundësi që ai të ketë jetuar për një periudhë në Paraguaj, ose të paktën të ketë lëvizur vazhdimisht mes dy vendeve, pasi rezultojnë hyrje-dalje të shumta. Në bazë të fotografisë së dërguar nga autoritetet braziliane, Interpol konfirmoi identitetin e tij, duke zbuluar se kishte hyrë në Brazil, ku më pas edhe u arrestua. Hetuesit dyshojnë se Mata shoqërohej gjithashtu me shtetas shqiptarë, të cilët i mbante pranë për aktivitete kriminale.
/Shqiptarja.com