Prej 18 muajsh në burg, ja si ka ndryshuar Ilir Meta. Avokati: E hëngri për shkak të Monikës

Aktualitet

Publikuar: 27/04/2026

Prej 18 muajsh në burg, ja si ka ndryshuar Ilir Meta. Avokati: E hëngri për shkak të Monikës

Ish-presidenti Ilir Meta prej 18 muajsh mbahet në paraburgim për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa gjyqi ndaj tij ka nisur ditën e sotme. Këtë të hënë, për herë të parë gjyqi në themel në GJKKO u transmetua një pjesë online, ku shihej Meta në kafazin e xhamit, e pranë tij ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe avokati i tij Kujtim Cakrani.

Meta u paraqit në sallën e GJKKO brenda “kafazit” të qelqtë duke bërë shqiponjën dykrenare me 2 duar, ndërsa tha se procesi ndaj tij është i montuar. Siç shihet në pamje, kreu i PL duket se në këto muaj izolim ka rënë në peshë duke pësuar një ndryshim në pamje.

Kreu i Partisë së Lirisë i ka kërkuar GJKKO-së që seancat gjyqësore ndaj tij, të transmetohen live për mediat. Për këtë kërkesë të ish-presidentit, gjyqtarja Etleva Deda ka deklaruar në seancë se ekziston një vendim i Këshillit të Lartë Gjyqësor që nuk lejon transmetimin e seancave gjyqësore. 

Në seancën e sotme, gjykata pritej të shprehej edhe për kërkesën për gjykim të shkurtuar, për tre të pandehurit e tjerë, nënën e Monika Kryemadhit, Fatimen, dhe Ema Çokun, mikeshë e ish deputetes, të dyja të akuzuara për pastrim parash, dhe ish kreun e AKEP Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit të vitit 2024, dhe SPAK e ka marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me aferën Cez-Dia dhe lobimin e LSI-së në SHBA. E pandehur është edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka masë detyrim paraqitje.

Sipas Prokurorisë së Posaçme Meta dhe Kryemadhi përdorën një sërë skemash korruptive, influencën dhe pushtetin e tyre politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, për të pastruar paratë e korrupsioni dhe fshehën pasuri e nuk deklaruan shpenzime të konsiderueshme. Kur çështja u kalua për gjykim më 18 mars të këtij viti, Meta dhe Kryemadhi kërkuan pushimin e çështjes, me argumentin se nuk ekziston vepër penale, ose në alternative, rikthimin për hetime të mëtejshme.

Avokati: E hëngri për shkak të Monikës

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, duke folur në emisionin “Dita Jonë” gjyqin në themel që do të nisë sot ndaj ish-presidentit, e konsideroi procesin si “gjyqi i shekullit”.

Do jetë proces gjyqësor i hapur. Ai ka kërkuar që çështja e tij të transmetohet Live në media. Sot do nisim një rrugëtim ligjor që ndoshta është edhe gjyqi i shekullit, sepse s’ndodh gjithmonë që një ish-President të vihet përballë togave të zeza”, tha Cakrani.

I pyetur a do ta takojë Ilir Metën ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, Cakrani tha: “Zonja Kryemadhi është pjesë e procesit gjyqësor, dhe të kuptojmë diçka, që e gjithë çështja është rreth zonjës Kryemadhi.

Znj. Kryemadhi ka marrë të gjitha përgjegjësitë sa i takon asaj, sepse ajo s’është një shtëpiake, ka qenë një njeri aktiv në politikë, ka qenë deputete, ka qenë pjesëmarrje në çdo vendim që është marrë nga Kuvendi, edhe nga LSI e kështu me radhë.

Disa përgjegjësi që i takojnë znj.Kryemadhi, kanë vendosur të bëjnë bashkëpërgjegjës edhe z.Meta, që s’është e drejtë nga pikëpamja procedurale, ligjore”, u shpreh ai.