Ish-deputeti Halit Valteri sulmon kryetaren në detyrë të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristanin. Në një intervistë për Albanian News Cast me gazetarin Arbër Hitaj, Valteri thotë se sot Bashkia e Tiranës është zero funksionale dhe se Ristani nuk del as në terren.
Sipas tij, ajo nuk nxjerr as urdhrat e punës për pastrimin e kryeqytetit, duke thënë se nuk mund të harxhosh vetëm 20 milionë euro, kur buxheti i bashkisë është planifikuar 200 milionë euro. Kjo, sipas tij, tregon se 70 për qind e shërbimeve nuk u janë ofruar qytetarëve. Valteri thekson se kthimi i Erion Veliajt në detyrë është një nevojë imediate.
Halit Valteri: Po flasim për një Bashki Tiranë që ka një vit e gjysmë pa drejtim. Zero funksionale. Me ca mediokër që janë në drejtim dhe shohin vetëm të mbushin xhepat e tyre.
A duhet të qëndrojë Ristani?
Halit Valteri: Kjo është kryetarja më e tmerrshme që ka pasur ndonjëherë Bashkia e Tiranës. S’e mund t’i thuash kryetare, është nëpunësja më e tmerrshme që ka pasur Bashkia e Tiranës. Kjo është një Haxhi Qamil. Një njeri që nuk i përgjigjet askujt, nuk bën një akt administrativ, një njeri që nuk del njëherë të shohë çfarë ndodh në këtë qytet. Vijat e bardha janë bërë vija të zeza.
Sot Bashkia e Tiranës është në një çorganizim. Nuk të ndalon njeri të nxjerrësh urdhrat e punës dhe të pastrosh qytetin, të presësh pemët, as të bësh evente, as ta lash e ta shpëlash këtë qytet të mrekullueshëm. E ke bërë 200 milionë euro planifikimin e buxhetit, s’mund të harxhosh ti 20 milionë euro, se do të thotë që s’i ke bërë punët që ke planifikuar. Kthimi i Veliajt në detyrë është imediat.