Polici i Rrugores Leandro Sinani gjobit nga Tirana makinën në Berat, mbush bllokun dhe nuk njeh urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë

Aktualitet

Publikuar: 21/04/2026

Polici i Rrugores Leandro Sinani gjobit nga Tirana makinën në Berat, mbush bllokun dhe nuk njeh urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë

Mbush bllokun e gjobave në Tiranë, ndërsa fatura u shkon qytetarëve në rrethe. Bëhet fjalë për policin e Policisë Rrugore në Tiranë Leandro Sinani, i cili në vend që të reflektonte pas urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Skënder Hita për ndryshimin e mënyrës së kontrollit rrugor, Sinani ka intensifikuar vendosjen e gjobave nëpër Tiranë, duke u zënë pritë drejtuesve të automjeteve, bllokuar dokumentacionin dhe në disa raste duke i ndaluar pa arsye.

Jo vetëm kaq. Por i mësuar me sa duket për të mbushur ‘bllokun’ me gjoba të majme dhe nga zelli i madh për gjobitje, Leandro Sinani shkel edhe Kodin Rrugor, duke gjobitur nga Tirana një automjet që figuron në Berat në momentin e ‘konstatimit të shkeljes’. Një qytetar denoncon se Leandro Sinani i ka vënë padrejtësisht një gjobë prej 20 mijë lekësh të rinj (200 mijë lekë të vjetra), në një kohë kur ai ndodhej në Berat, makina ishte parkuar në Berat, ndërsa polici Sinani ishte në përballë Piramidës në Tiranë me bllok në dorë.

Në këtë foto shfaqet polici Leandro Sinani ditën e djeshme në Tiranë, duke vendosur gjoba. Sinani mbush bllokun duke sfiduar urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Skënder Hita për ndryshimin e mënyrës së kontrollit rrugor, që pezullon shërbimet e dukshme të policisë në akset nacionale dhe zona të tjera.

Polici Sinani ndalon një makinë me targa të huaja. Në vend që masa administrative t’i vendosej drejtuesit të mjetit me targa të huaja, polici rrugor Leandro Sinani ka gabuar duke regjistruar targën si shqiptare. Bëhet fjalë për targën AA574FI, e cila i përket një automjeti në Berat.

Në realitet, mjeti i ndaluar ka qenë me targa të huaja (sllovake), por për shkak të ngjashmërisë së tyre me formatin shqiptar, polici ka ngatërruar shtetin e regjistrimit. Si pasojë, gjoba është vendosur ndaj një qytetari në Berat, i cili nuk ka qenë fare i pranishëm në vendngjarje dhe nuk ka lidhje me shkeljen.