SPAK kërkon 10 vite burg për Ervis Berberi: T’i konfiskohen edhe pasuritë

Kronike

Publikuar: 17/04/2026

SPAK kërkon 10 vite burg për Ervis Berberi: T’i konfiskohen edhe pasuritë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për ish-kreun e ARRSH, Ervis Berberin, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera (5 episode), korrupsion pasiv (6 episode) dhe pastrim parash (1 episod).

Burime për mediat bëjnë me dije se sipas kërkesës së organit të akuzës, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar pritet të ulet me një të tretën, duke shkuar në 6.8 vite burg.

Përveç dënimit me burg, është kërkuar edhe ndalimi për 5 vite nga ushtrimi i funksioneve publike. Po ashtu prokuroria ka kërkuar konfiskimin e pasurive të gjetura në zotërim të tij, përfshirë 15 mijë euro, 35 mijë paund, si dhe 1 milion lekë të rinj, së bashku me pasuri të tjera.

Ish vartësi i Belinda Ballukut, Evis Berberi u arrestua më 14 mars 2024. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Berberi rezulton i përfshirë në raste korruptive me 8 tendera që kapin vlerën e 5 milionë eurove.

SPAK ka dyshime se Berberi, fillimisht si Drejtor i Efiçencës së Energjisë, ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro që janë fituar nga kompania DAAM që drejtohej nga Valter Begaj, por që defakto sipas Prokurorisë, kompania zotërohej prej Berberit. Po kështu, SPAK dyshon se në kohën që Berberi drejtonte ARRSH, e njëjta kompani ka fituar tre tendera të tjerë më vlerë rreth 1 milionë euro.