Në Samitin e Diasporës në Tiranë, ashtu siç pritej, një nga shqetësimet kryesore që u adresua është sfida me të cilën po përballet gjuha shqipe në rajon, referuar tensioneve dhe përplasjeve në Maqedoninë e Veriut
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha e adresoi këtë çështje që në nisje të punimeve të samitit me një mesazh të rëndësishëm.
“Nëse gjuha jonë, e cila u ka rezistuar shekujve në kohë shumë më të vështira, dobësohet sot – kur jemi më të ditur, më të fortë dhe më të lidhur se kurrë – atëherë përgjegjësia është vetëm e jona. Ky është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve në Maqedoninë e Veriut për të ushtruar të drejtat e tyre në gjuhën amtare”, tha Hoxha.
Gjuhën shqipe në Maqedoninë e veriut e sheh në rrezik edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, i cili thotë po rrezikohet seriozisht zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, si dokumenti që garanton bashkëjetesën etnike në vendin fqinj dhe të drejtat e shqiptarëve si komb shtetformue.
“Sa i takon gjuhës shqipe në Maqedoni, është një rrezik i vërtetë që duhet t’i dalin zot të gjithë gjuhës që e flasin të gjithë Çdo koment tjetër është vetëm për ta gërryer përfundimisht marrëveshjen e Ohrit dhe për t’i ndryshuar karakterin. Përgjegjësinë e kemi të përbashkët. Maqedonia ka ardhmëri në bashkëjetesë, bashkëqeverisje vetëm me shqiptarët. Pa shqiptarët, nuk mund të mbijetojë dhe ditët i ka të numëruara”, u shpreh Ahmeti.
Edhe ish-kryeministri i Malit të Zi kërkon bashkëpunim të gjithë faktorit shqiptar në rajon për të mbrojtur të drejtën e fituar të shqiptarëve që njeh zyrtarisht gjuhën shqipe.
“Duhet të jemi unik në mbrojtje të të drejtave tona. Duhet të jemi të gatshëm të mbështesim shqiptarët në mbrojtjen e të drejtave që kanë arritur. Të drejtat që janë arritur nuk mund të devastohen. Duhet të marrim masa nga politika, nga OJF-të, universitetet si të mbrohen ato të drejta. Neës nuk do bashkëpunojmë do shkojmë në konflikt. Mali i Zi e ka ndier në lëkurë. Të bashkëpunojmë të gjithnjë, pa shqiptarët në rajon nuk ka progres”, tha Abazoviç.
1 javë më parë, studentët në Maqedoninë e Veriut u ngritën në protesta duke kërkuar lejimin e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet universitare ashtu siç e garanton kushtetuta. Reagimet nga faktori shqiptar në rajon kanë qenë të forta dhe në mbështetje të kësaj kauze identitare.
/shqiptarja.com