Nga Raimond CIMBI – ish Komisioner i Autoritetit të Konkurrencës
Si Komisioner pionier i Autoritetit të Konkurrencës, pjesë e themelimit të këtij institucioni në vitin 2004, e ndiej si detyrim profesional dhe moral të trajtoj disa çështje aktuale, në kuadër të krizës globale të naftës dhe reflektimit të saj në vendin tonë, si pasojë e luftës Sh.B.A-Iran.
Kriza e çmimit të naftës, shkaktuar nga tensionet gjeopolitike dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, ka rikthyer në vëmendje një debat thelbësor, për mënyrën se si shteti duhet të ndërhyjë në tregje të ndjeshme, strategjike dhe të lira.
Qeveria, në përgjigje të krizës, ngriti dhe vuri në funksionim Bordin e Transparencës, një mekanizëm i cili synon të stabilizojë çmimet dhe të shmangë abuzimet në treg për një produkt jetik për ekonominë, siç është nafta, që në këtë periudhë e meriton plotësisht emrin e pagëzimit prej dekadash “Ari i Zi”.
Bordi i Transparencës, nga ana e tij, operon si një mekanizëm ndërhyrës, i cili realizon administrimin e çmimeve përmes një formule apo sistemi që reflekton dhe analizon bursat ndërkombëtare dhe faktorë të tjerë, jo vetëm ekonomikë.
Autoriteti i Konkurrencës, nga ana tjetër, është ndërtuar si një institucion i pavarur, me mandat për të garantuar funksionimin e lirë dhe efektiv të tregjeve, duke parandaluar dhe ndëshkuar marrëveshjet e fshehta, abuzimin me pozitën dominuese në treg dhe çdo praktikë tjetër që cënon konkurrencën e lirë.
Është e kuptueshme që në kohë krizash Qeveria ndërhyn më fort për të mbrojtur konsumatorin. Por kjo ndërhyrje nuk duhet të zëvendësojë mekanizmat rregullatore dhe monitoruese të tregut, madje duhet t’i mbështesë ato. Ndërhyrja shtetërore është e përkohshme dhe e targetuar.
Pikërisht për këtë arsye, roli dominues që ka marrë Bordi i Transparencës nuk mund të kalohet pa një reflektim. Jo sepse ndërhyrja e tij është e panevojshme, përkundrazi, në kohë krize ajo është e domosdoshme, por sepse kjo ndërhyrje nuk mund të vijë në kurriz të rolit themelor të Autoritetit të Konkurrencës.
A mund dhe a duhet të përqendrohet e gjithë barra e kontrollit të tregut të naftës në një strukturë ad-hoc si Bordi i Transparencës, duke lënë në një rol periferik Autoritetin e Konkurrencës?
Përgjigja është e prerë: Jo!
Në kohë krize, Autoritetet e Konkurrencës nuk tërhiqen, përkundrazi, ato bëhen më të dukshme, më aktive dhe më të përgjegjshme ndaj publikut. Autoriteti i Konkurrencës nuk është krijuar për të qenë spektator. Ai është krijuar për të ndërhyrë, për të hetuar dhe për të garantuar që edhe në kushte të krizës, konkurrenca të mbetet themeli mbi të cilin funksionon tregu.
Pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë dhe thelbësore: në këtë periudhë krize, a po e ushtron Autoriteti i Konkurrencës rolin e vet?
Sepse, në rastet kur: tregu perceptohet si i administruar, çmimet orientohen nga mekanizma jashtë logjikës së konkurrencës, si dhe mungon prania e hetimore e Autoritetit të Konkurrencës, atëherë kemi një devijim nga filozofia mbi të cilën u ndërtua ky Autoritet.
Në këtë bashkëjetese paralele institucionale kemi të bëjmë me dualitet institucional apo boshllëk funksional?
Ky dualitet nuk duhet të jetë domosdoshmërisht problematik në vetvete. Përkundrazi, në teori, mund të jetë komplementar, pra plotësues. Por në praktikë, ekziston rreziku që ndërhyrja direkte e Bordit të krijojë një “rehati institucionale” për Autoritetin e Konkurrencës, duke e joshur këtë të fundit drejt një roli pasiv, mjaft i dëmshëm për kontrollin afatmesëm dhe afatgjatë të tregjeve në nivel kombëtar.
Kështu, nëse tregu i naftës menaxhohet kryesisht përmes çmimeve të diktuara ose të orientuara nga një Bord, ekziston rreziku që mekanizmat e konkurrencës të kompromentohen. Operatorët mund të mos kenë më nxitje reale për të konkurruar në çmime, pasi çmimi final tashmë është i “diktuar”.
Në këtë kontekst, mungesa e pranisë aktive të Autoritetit të Konkurrencës mund të çojë në mungesë hetimesh për marrëveshje të fshehta, dobësim të besimit në institucionet e tregut të lirë.
Nëse sot Autoriteti i Konkurrencës nuk e ushtron plotësisht mandatin e tij, rreziku nuk është vetëm momental. Rreziku është krijimi i precedentit: që në çdo krizë konkurrenca të zëvendësohet nga administrimi, dhe institucioni që duhet ta mbrojë atë të mbetet në periferi.
Në dinamikën e zhvillimeve korente historike, e shoh mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin ndër institucional Autoritet-Bord.
Përfundim:
Bordi i Transparencës mund të jetë një instrument i nevojshëm në një moment krize, por ai nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë rolin themelor të Autoritetit të Konkurrencës.
Sepse në fund krizat kalojnë, por institucionet mbeten.