Babë e bir kanosën dy persona, policia i zbuloi biznesin me mbi 110 ton fruta-perime në Shkodër, sekuestrohen nga AKU: Nuk plotësonin kushtet higjeno-sanitare

Kronike

Publikuar: 11/04/2026

Babë e bir kanosën dy persona, policia i zbuloi biznesin me mbi 110 ton fruta-perime në Shkodër, sekuestrohen nga AKU: Nuk plotësonin kushtet higjeno-sanitare

Një sasi prej 110 tonë fruta-perime është bllokuar në Shkodër, nga një operacion i përbashkët i policisë dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, që zbuluan një skemë shkeljesh dhe abuzimi me sigurinë ushqimore.

Gjatë operacionit, u arrestuan shtetasit Gëzim Bala, 67 vjeç, Elis Bala, 33 vjeç (babë e bir) dhe Artan Bala, 61 vjeç, të tre banues në Shkodër. Ata dyshohen se kanë kanosur për motive të dobëta dy shtetas të tjerë (babë e bir), me qëllim përfitimin e pasurisë.

Por gjatë kontrolleve në aktivitetin tregtar të Gëzim Balës dhe Elis Balës, autoritetet zbulua se ata prodhonin produkte ushqimore të pamiratuara dhe në kushte jashtë standardeve higjeno-sanitare.

Për rrjedhojë, AKU gjobiti me 500 mijë lekë subjektin, bllokoi sasinë prej 110 tonë të produkteve ushqimore, si dhe vendosi ndërprerjen e aktivitetit.

Sipas të dhënave të policisë, shtetasit e arrestuar nuk janë të panjohur për autoritetet, pasi janë arrestuar dhe referuar në prokurori edhe në vitin 2018 për të njëjtën akuzë, atë të prodhimit të paligjshëm të mallrave ushqimorë.