Kryeministri Edi Rama ka mbajtur në krye të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit Adelina Grecën që nga dhjetori i vitit 2013, pa asnjë ndërprerje. Greca vjen në këtë post pas një karriere në Bashkinë e Tiranës, aty ku Rama ndërtoi bazat e pushtetit të tij.
AKPT është institucioni qendror që harton planet kombëtare të zhvillimit, jep aktet e përputhshmërisë për çdo projekt ndërtimor në vend dhe monitoron zbatimin e legjislacionit të planifikimit. Me pak fjalë, pa firmën e AKPT-së, asnjë metër katror në Shqipëri nuk ndryshon destinacion, asnjë kullë nuk ngrihet, asnjë tokë bujqësore nuk preket. Dhe në krye të këtij institucioni që nga dhjetori i vitit 2013, qëndron e njëjta grua: Adelina Greca.
Në fakt, Adelina Greca e ka nisur rrugëtimin në Bashkinë e Tiranës gjatë viteve 2003-2011, kur punonte si urbaniste në institucionin që drejtohej nga Edi Rama. Për “meritat” e saj, Babloku e emëroi në dhjetor 2013 drejtoreshë të përgjithshme të AKPT-së, një institucion kyç që mban në dorë çelësat e territorit shqiptar. Aq e “vyer” është konsideruar Adelina Greca, sa në qarqet e institucioneve qendrore e quajnë “zonja e territorit” që nuk lëviz dot nga karrigia. Prandaj, pas çdo skandali që ka përfshirë AKPT-në, ajo ka vijuar të mbetet në detyrë, duke kaluar pa u prekur nga drejtësia edhe pse emri i saj lidhet me afera të shumta.
Disa çështje problematike gjatë 13 viteve në krye të AKPT-së:
– Çështje që po hetohet është ajo e fondeve të tërmetit të vitit 2022, ku KLSH gjeti se AKPT kishte lidhur 40 kontrata me vlerë 78.8 milionë lekë pa respektuar procedurat ligjore, duke favorizuar operatorë të përsëritur dhe shkaktuar rreth 78 milionë lekë dëm në buxhetin e shtetit.
– Ajo e tenderit të komisariateve, ku SPAK dërgoi për gjykim ish-deputetin Plarent Ndreca dhe 15 zyrtarë të tjerë nga AKPT dhe institucionet partnere, për një tender 54.2 milionë lekësh që shkaktoi 34.2 milionë lekë dëm, ndërsa kontrata parashikonte projektimin e disa komisariateve por u realizuan vetëm dy prej tyre.
– Çështje e evidentuar është ajo e transformimit të 120 hektarëve tokë bujqësore në Sukth për “Durana Tech Park”, ku dokumentet e AKPT të vitit 2025 e klasifikonin zonën si tokë bujqësore, por pavarësisht kësaj, projekti eci dhe një tender 32.9 milionë lekësh u fitua nga kompania EURONDERTIMI 2000 para se parku të ekzistonte.
– Çështje e evidentuar është ajo e aktit të përputhshmërisë për termocentralin e Roskovecit, ku në mars 2024 AKPT lëshoi leje për një termocentral në tokë bujqësore të kategorisë B, pavarësisht kundërshtimit të Ministrisë së Bujqësisë që e cilësoi ndërtimin të ndaluar në tokë me bonitet të lartë.
– Zgjerimi i kompanisë “Alba Cosmetic” në Porto Romano, në 2 hektarë tokë të destinuar për shërbime social-kulturore dhe sportive, pa dëgjesa publike dhe pa asnjë masë nga AKPT për ta ndaluar këtë devijim.
Për secilën prej këtyre çështjeve, “Pamfleti” do të sjellë në vijim fakte të reja.
Atelier Albania, platforma e konkurseve të paracaktuara e krijuar nga AKPT
Nëpërmjet platformës Atelier Albania, e cila drejtohet nga Greca, janë organizuar dhjetëra konkurse ndërkombëtare ku fituesit kanë dalë të paracaktuar. Në nëntor 2015, për bypass-in e Gjirokastrës, Greca shpalli fituesin para se juria të vlerësonte projektet. Fitues ishte studio “Atelier 4”, klient i madh i qeverisë, dhe projekti përfundimtar doli dy herë më i shtrenjtë se propozimi fillestar, duke kërcënuar qendrën historike të qytetit.
“51N4E”, bashkë-administratore e Atelier Albania, ka pasur anëtarët e saj në juritë që përzgjidhnin fituesit, duke krijuar një konflikt interesi të pastër: njëkohësisht organizojnë konkursin, ulen në juri dhe fitojnë projektet. Për zbatimin e tyre, “FUSHA shpk” ka fituar pa konkurrencë të gjitha tenderët për rikualifikimin e sheshit “Skënderbej” me 17 milionë euro dhe kontratën e promenadës së Himarës me ofertën më të lartë. Një rreth i ngushtë personash që prej vitesh ndajnë mes tyre miliona euro nga buxheti i shtetit. Për këtë rreth do të flasim në vijim.
Burimet tregojnë se Adelina Greca është e lidhur me agjentura turke, të cilat e kanë afruar atë edhe më shumë me kryeministrin Edi Rama. Këto marrëdhënie krijojnë një dimension të ri në veprimtarinë e saj, duke shtruar pyetjen se kush i mundëson dhe kush i mbron këto lidhje brenda institucioneve shqiptare.
Nuk është e vështirë të kuptohet se për çfarë shërbimesh të tilla kjo “zonjë e territorit” mbahet në krye të AKPT-së për 13 vjet, pa u prekur as nga SPAK për dosjet që përfshijnë institucionin që drejton.
Ajo ka ditur të mbajë në ekuilibër një rrjet të tërë interesash, duke siguruar që asnjë emër i madh të mos pengohet dhe asnjë pyetje të mos bëhet. Por pas fasadës së “zonjës së territorit” fshihen më shumë se sa është raportuar deri tani… /Pamfleti