Arratisja / ‘Safeti’ i KLP-së Olger Eminaj lidhet në skype me kryetaren Mirela Bogdani, diskutohet fati i prokurorëve të SPAK pas mbarimit të mandatit

Aktualitet

Publikuar: 06/04/2026

Arratisja / ‘Safeti’ i KLP-së Olger Eminaj lidhet në skype me kryetaren Mirela Bogdani, diskutohet fati i prokurorëve të SPAK pas mbarimit të mandatit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh në 2 prill 2026 për plotësimin e tre vakancave të përkohshme në Prokurorinë e Durrësit, nëpërmjet procedurës së transferimit të përkohshëm me pëlqim. Kjo ishte mbledhja e parë e KLP-së pas publikimit të skandalit seksual të anëtarit të këtij Këshilli Olger Eminaj me një denoncuese. Në fillim të mbledhjes, kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani tha se mungonin Ledina Riza, Arta Mandro, Erion Fejzulla dhe Olger Eminaj.

Sipas Bogdanit, katër anëtarët që mungonin ishin me leje vjetore për disa ditë që u kishin mbetur nga viti i kaluar. Por, më tej Bogani theksoi se anëtari Olger Eminaj, njëherësh prokuror, do të merrte pjesë në mbledhje nga distanca, përmes skype. Në mbledhjen që zgjati 1 orë e 46 minuta, Eminaj nuk mori pjesë në diskutime, por vetëm votonte pro ose kundër propozimeve që hidheshin në votim.

Ndërkaq, në mbledhje, përpos rendit të ditës, u diskutua edhe për të mos plotësuar vendet vakante në prokurorinë e apelit me qëllim për t’i mbajtur këto vende për prokurorët e SPAK-ut, shtatë prej të cilëve u mbaron mandati pas dy vitesh. Në kushtet kur Edi Rama duket se nuk do t’i hapë rrugë mundësisë për të rikandiduar, KLP do të emërojë në Apel prokurorët e SPAK pasi t’u mbarojë mandati.

Eminaj votoi që vendet në Apel të rezervohen për Prokurorët e SPAK, një qëndrim në dukje në konflik interesi pasi SPAK ka nisur një hetim ndaj Eminajt për aferën seksuale. Pas përpjekjeve të dështuara për të bllokuar publikimin e skandalit seksual nga emisioni STOP, anëtari i KLP-së Olger Eminaj mësohet se është arratisur nga Shqipëria. Sipas burimeve, vetëm një orë para publikimit të aferës seksuale me një denoncuese nga STOP, prokurori Eminaj, ka kaluar kufirin e Shqipërisë duke u larguar drejt Greqisë.