Afera / Arlinda Pogaj 1.7 milionë euro Eduart Resulit të kontrabandës së naftës me pazar në tavolinë. A po i vëzhgon BKH-ja?

Krim & Korrupsion

Publikuar: 06/04/2026

Afera / Arlinda Pogaj 1.7 milionë euro Eduart Resulit të kontrabandës së naftës me pazar në tavolinë. A po i vëzhgon BKH-ja?

Drejtuesja e Operatorit të Blerjeve të Përqëndruara Arlinda Pogaj dhe pronari i kompanisë Resuli – ER Eduart Resuli, i skeduar për kontrabandë karburantesh, kanë finalizuar një tjetër aferë korruptive 1.7 milionë euro, përmes tenderit të diktuar me pazar në tavolinë për furnizim me lëndë djegëse të disa spitaleve. Në 2 prill 2026, Pogaj, e cila po vëzhgohet prej muajsh nga BKH-ja bashkë me bashkëshortin sekser, ka firmosur tenderin e paracaktuar për Eduart Resulin, pa konkurrencë dhe me ofertë fituese sa fondi limit.

Kompania e karburanteve Resuli-ER shpk ka përfituar mbi 30 milionë euro para publike, kryesisht përmes tenderave me procedura të manipuluara. Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, Eduart Resuli ka përfituar 21 milionë euro drejtëpërdrejt nga buxheti i shtetit. Për tenderët që kompania ka marrë e vetme, sasia e karburantit të shitur shtetit rezulton më e madhe se sasia e deklaruar si furnizim në bilancet zyrtare, fakt që ngre dyshime për kontrabandë.

Kompania me qendër në Fier është raportuar disa herë në SHISH dhe strukturat e antikrimit për bashkëpunim në aktivitete të dyshimta me kompaninë “Boilv Oil” të Behar Çukës, me importues karburantesh dhe me drejtues të “Albpetrol” dhe “Bankers”, por deri më tani ka shmangur procedimet penale. Resuli ka edhe dy kompani të tjera tregtimi karburantesh, konkretisht “ER Petrol” sh.p.k. dhe “Resuli” sh.p.k., kjo e fundit e përthithur pa likuidim nga “Resuli ER” sh.p.k. Për aktivitetin e tyre ekzistojnë raporte nga organet e zbatimit të ligjit.

Eduart Resuli ka përfituar edhe 249 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë, përmes kompanisë AGROTURIZEM REXHINI, kamufluar në emrin e Afërdita Resulit. Në këtë kompani, e cila ka përfituar edhe prona publike, Resuli dyshohet se është prestanome i një deputeti socialist.