Incidenti / Elisa Spiropali tmerron Dumanin, makina e Solomon Group ndoqi makinën e ish kreut të SPAK-ut, alarmohen institucionet e sigurisë, dyshime për implikim të Salillarit

Aktualitet

Publikuar: 04/04/2026

Incidenti / Elisa Spiropali tmerron Dumanin, makina e Solomon Group ndoqi makinën e ish kreut të SPAK-ut, alarmohen institucionet e sigurisë, dyshime për implikim të Salillarit

Një incident i pazakontë ka ndodhur disa ditë më parë me eskortën e sigurisë së ish kreut të SPAK-ut, Altin Dumani. Një makinë e dyshimtë me fenelina ka ndjekur makinën me të cilën udhëtonte ish kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, nga Shkozeti deri tek Casa Italia në Tiranë. Bëhet fjalë për një makinë tip Volkswagen, me targa AB 059 YL, e cila nga Shkozeti deri në Tiranë nuk i është ndarë nga pas makinës, në të cilën udhëtonte Altin Dumani.

Makina private ka ngjallur dyshime dhe më pas shqetësim tek grupi që shoqëronte Altin Dumanin, i cili ka informuar Policinë e Shtetit. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë masa duke angazhuar përforcime, ndërsa është bërë menjëherë verifikimi i targave të mjetit Volkswagen me fenelina. Rezultati ishte befasues. Mjeti i cili ndiqte makinën e Altin Dumanit i përkiste kompanisë Solomon Group, një kompani e themeluar nga vëllai i deputetes Elisa Spiropalit, Enkli Spiropali.

(Foto montazh)

Sot kompania, përfituese e parave publike, është në pronësi të kunatës së Elisa Spiropalit, Blerina Totaj. Pronarët realë të kompanisë Solomon besohet se janë Elisa Spiropali me bashkëshortin e saj Salarjon Totaj, çift i cili fshihet pas një rrjeti kompanish përfituese e miliona eurove para publike. Policia vijon hetimet mbi arsyet dhe rrethanat e plota të incidentit, i cili ka shqetësuar ish kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, për të cilin shkak të kërcënimeve KLP-ja ka kërkuar shtimin e masave të sigurisë.

Po pse makina në pronësi të biznesit të Elisa dhe Salarjon Totaj ka ndjekur makinën me të cilën udhëtonte Altin Dumani?

Disa muaj më parë, bashkëshorti i Elisa Spiropalit, Salarjon Totaj u fotografua në momentet duke hyrë në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme. Totaj është marrë në pyejte për disa orë në SPAK. Arsyet e paraqitjes së tij në SPAK mbeten ende të paqarta. Nuk pati as njoftim nga SPAK për çëshjen për të cilën ishte thirrur bashkëshorti i zonjës Spiropali. Nuk dihet nëse Totaj është thirrur si person në dijeni apo për atë SPAK-u ka hapur ndonjë dosje penale.

Një tjetër tjetër pistë konsiston tek implikimi i mundshëm i ish fatorinës së kthyer në oligark Pëllumb Salillari, një nga përfituesit më të mëdhenj të pronave dhe pasurive publike, nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. Nuk është edhe aq sekret lidhja e ngushtë dhe klienteliste e çiftit Spiropali-Totaj me oligarkun Salillari. Gjatë vëzhgimit të oligarkut nga BKH-ja muajt e fundit, mes funksionarëve publikë që takohej më shpesh me Salillarin ka rezultuar pikërisht Elisa Spiropali.

(Foto montazh)

Ka dyshime të forta se çifti Spiropali-Totaj kanë përfituar disa tendera të mëdhenj publikë duke përdorur si mbulesë kompaninë e Salillarit. Ndërkaq, disa ditë para se makina e kompanisë Solomon ka ndjekur Altin Dumanin, një skuadër e BKH-së ka ushtruar kontrolle dhe ka bastisur zyrat e Pëllumb Salillarit, pjesë e dosjes së SPAK për korrupsionin me projektet e infrastrukturës rrugore.

Sipas burimeve, gjatë bastisjes që ka zgjatur disa orë, agjentët e BKH-së i kanë sekuestruar Salillarit të paktën 15 telefona dhe laptopë, në të cilët besohet se ka materiale me vlerë për hetimet. Hetimet e SPAK duket se kanë zbuluar disa linja korrupsioni me paratë publike si dhe kanë tronditur interesa të fuqishme finaciare.

Afera korruptive e Spiropalit

Në gusht të vitit 2013, disa muaj pasi Partia Socialiste fitoi zgjedhjet parlamentare, vëllai i Elisa Spiropalit, Enkli Spiropali themeloi në Fier kompaninë Solomon Construction, me objekt import-eksport e tregtimin me shumicë e pakice të artikujve të ndryshem industriale. Në prill 2015, Enkli Spiropali ia shet kompaninë Marjus Memushajt, i cili është kushëriri i Salarjon Totajt.

Gjatë kohës kur kompania ishte në pronësi të vëllait të Spiropalit dhe pas kalimit formal në emrin e Marjus Memushajt, rezulton ka përfituar para publike nga Ujësjellësi i Fierit kur drejtohej nga Salarjon Totaj. Në 27 mars 2014, bashkëshorti në atë kohë jo zyrtar i Spiropalit Salarjon Totaj i jep një tender me vlerë 66 mijë euro vëllait të Spiropalit Enkli Spiropali.

Në një reagim në Facebook, në shkurt të vitit 2019, zonja Spiropali tha se vëllai i saj nuk kishte përfituar fonde publike, duke mohuar evidencat dhe faktet që tregonin përfitimin në konflikt interesi, madje në formë korruptive. Nga vitit 2014 deri në 2016, bashkëshorti i Spiropalit i ka dhënë 350 mijë euro tendera kompanisë së vëllait të Spiropalit.

Në maj të vitit 2024, vëllai i Spiropalit, Enkli Spiropali vendos t’i futet një tjetër biznesi. Ai themelon kompaninë e taksive Blest Taxi bashkë me Klodjan Kalldani me kapital 100 mijë lekë. Administrator të kompanisë fillimisht caktojnë Besmir Metanin, i dyshuar si i përfshirë në biznesin kriminal të mashtrimit përmes call centrave. Spiropali dhe Kalldani e nisën biznesin me një flotë prej 5 taksish.

Ndërkaq, kompania Solomon Construction e themeluar nga vëllai i Spiropalit do të përfundonte në duart e kunatës së saj, Blerina Totaj. Në tetor 2021, Marjus Memushaj e shet kompaninë Solomon tek kompania Fortes Construction për 120 mijë euro. Duket si një shitje reale, por faktet tregojnë se bashkëshorti i Spiropalit po kalon kompaninë nga njëra dorë e besuar në tjetrën.

Kompania e projektimit dhe e ndërtimit Fortes Construction, e cila bleu kompaninë Solomon, është një tjetër linjë biznesi e bashkëshorit të Elisa Spiropalit, Salarjon Totaj. Kompania e themeluar në vitin 2015, me zyra te Shopping
Center në Tiranë, është në emrin e dy kunatave të Elisa Spiropalit, Blerina dhe Luranda Totaj.

Kompania, e cila operon më shumë si nënkontraktore e firmave që përfitojnë para dhe koncensione publike, qarkullon çdo vit qindra mijëra euro. Blerina Totaj rezulton nyja e interesave të kamufluara të çiftit Elisa Spiropali dhe Salarjon Totaj. Përmes saj, çifti kontrollon kompaninë e ndërtimit Fortes Construction si dhe kompaninë import-eksport të artikujve të ndryshem industriale Solomon Construction.

Përmes kompanisë “Solomon Construction”, Totajt kanë siguruar edhe një kontratë qiraje 90-vjeçare me Ministrinë e Bujqësisë për kultivim ullinjsh në sipërfaqe 19 hektarë në pronësi të shtetit në Patos. Dokumentat e Ministrisë së Bujqësisë thonë se “Solomon Construction” e ka marrë këtë sipërfaqe toke me qira për 90 vjet, me vlerë 465 mijë lekë të reja në vit ose rreth 40 mijë lekë të reja në muaj. Qëllimi i kontratës së qirasë është “kultivimi, prodhimi dhe tregtimi i ullirit për vaj dhe tavolinë”.

Deri më tani, nuk ka një komunikatë zyrtare nga prokuroria për natyrën e thirrjes apo ndonjë procedim konkret ku mund të jetë përfshirë.