Nesër seanca e parë për shkarkimin e Ols Dados, i pranishëm edhe Veliaj. Si u emëruar prokuror pa plotësuar kriteret me ndihmën e Ina Ramës. Fati i ‘violinës’ në duart e Hazbi Balliut

Kryesore

Publikuar: 02/04/2026

Nesër seanca e parë për shkarkimin e Ols Dados, i pranishëm edhe Veliaj. Si u emëruar prokuror pa plotësuar kriteret me ndihmën e Ina Ramës. Fati i ‘violinës’ në duart e Hazbi Balliut

Ditën e nesërme është konfirmuar prania personale e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ku do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore mbi kërkesëpadinë e tij për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 5936, datë 17.11.2008, për emërimin e z. Ols Dado në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë.

Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Hazbi Balliu. Padia ngre një çështje thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës: a mund të ushtrohet pushteti penal nga një subjekt që nuk i ka përmbushur kurrë kushtet ligjore për të qenë prokuror?

Sipas kërkesëpadisë, emërimi është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin nr. 8737/2001, pasi subjekti i emëruar nuk plotësonte as kriteret e përgjithshme dhe as ato të posaçme të përcaktuara nga ligji për ushtrimin e funksionit të prokurorit. Për rrjedhojë, akti konsiderohet nul ab initio (që nga fillimi), pra juridikisht i paekzistent dhe i paaftë për të prodhuar pasoja të vlefshme.

Në një rast të fundit në Shtetet e Bashkuara, një gjykatë federale konstatoi se prokurorja Lindsey Halligan, e emëruar në kundërshtim me ligjin, nuk kishte autoritet për të ushtruar funksionet e prokurorit, duke çuar në rrëzimin e aktakuzës së ngritur prej saj dhe më pas edhe në largimin e saj nga detyra.

Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me një emërim individual. Ajo prek një parim themelor: ligjshmërinë e burimit të pushtetit publik.

Nëse një funksion kaq i rëndësishëm si ai i prokurorit mund të ushtrohet jashtë kritereve ligjore, atëherë vihet në kërcënim të drejtpërdrejtë vetë shteti i së drejtës dhe garantimi i të drejtave themelore të qytetarëve.

Padia argumenton se të gjitha veprimet e ndërmarra nga një subjekt i emëruar në kundërshtim me ligjin janë të ekspozuara ndaj pavlefshmërisë, përfshirë edhe ato që kanë prodhuar pasoja të drejtpërdrejta mbi lirinë personale dhe funksionimin e institucioneve publike, në këtë rast edhe të Bashkisë së Tiranës.

Në këtë kuadër, gjykata është thirrur të shprehet mbi një çështje që tejkalon natyrën individuale dhe lidhet drejtpërdrejt me standardet kushtetuese të ushtrimit të pushtetit të akuzës në Republikën e Shqipërisë.

Ky proces përbën një moment të rëndësishëm për të përcaktuar nëse ligji është i barabartë për të gjithë, përfshirë edhe prokurorët, dhe nëse ai është një kriter real për ushtrimin e funksioneve publike, apo një formalitet që mund të anashkalohet në mënyrë selektive.

Si u katapultuar Ols Dado prokuror pa plotësuar kriteret

Ols Dado u diplomua si jurist në vitin 1995 me rezultate të dobëta. Notën më të lartë e ka në fiskulturë. Gjithsesi, ndryshe nga Gjin Gjoni që ka marrë gradën doktor pas arsimit të lartë, Ols Dado e ka kryer arsimin e lartë për juridik, edhe pse me mesatare të ulët dhe pse me ndërpreje tremujore nga fakulteti, pasi ka shkuar në Athinë për të ndjekur një kurs për filozofi, krahas pasionit për violinën.

Pas diplomimit, Ols Dado ka punuar në administratë. Nga data 16.12.1995 deri në 15.2.1996 punoi pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta. Nga data 16.2.1996 deri në 10.9.1996 punoi pranë “A.M.C” sh.a. Nga data 29.1.1997 deri në 8.11.2000 punoi pranë Bashkisë Durrës. Nga data 1.7.2003 deri në 29.9.2005 punoi në ish-Komisionin e Letrave me Vlerë. Në vitin 2008 bëhet noter pa konkurim, duke hapur NIPT-in K52025501V, pasi e trashëgon licencën nga babai i tij, noteri Milto Dado, deri në vitin 2008.

Në 4 nëntor 2008, zonja Ina Rama, në atë kohë në funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, i propozon Bamir Topit, asokohe President, emërimin e Ols Dados prokuror në Progradec. (Nuk është sekret që Ols Dado dhe Ina Rama kanë ndarë një miqësi të ngushtë, e cila besohet se është edhe shkaku që ka shtyrë zonjën Rama të kapërcejë ligjin për emërimin e Dados, duke tërhequr në këtë valle edhe presidentin Bamir Topi).

Propozimin e saj për mikun fustanexhi Ols Dado, zonja Rama e mbështet në nenin 149 pika 3 të Kushtetutës dhe në nenin 8, pika 2, germa ‘b’ të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë (i pa ndryshuar deri ditën e firmosjes së këtij propozimi). Mbështetur në të njëjtën bazë ligjore, Presidenti Bamir Topi, në 17 nëntor 2008, miraton propozimin e Ina Ramës, duke dekretuar emërimin e Ols Dados prokuror në Pogradec.

Neni 17 i ligjit, përpos të tjerave, parashikonte që mund të emërohet prokuror shtetasi që ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Neni 18 parashikon që mund të emërohet prokuror edhe personi që nuk e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës, por që ka punuar jo më pak se tre vjet pedagog në Shkollën e Magjistraturës, në Fakultetin Juridik, këshilltar ligjor, drejtues ose specialist në strukturat juridiko-profesionale në Kuvend, Presidencë, qeveri, Gjykatën e Lartë, Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Popullit, deputet me arsim juridik dhe oficer i policisë gjyqësore.

Ols Dado nuk plotësonte as kriteret e parashikuar në nenin 17 dhe as në nenin 18 të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Dado kishte vetëm arsimin juridik dhe nuk kishte punuar 3 vite në një nga funksionet e parashikuara nga neni 18 i ligjit. Dado është emëruar në kundërshtim flagrant me ligjin në funksionin e prokurorit. Dado jo vetëm që nuk duhet të ishte prokuror i komanduar në SPAK, por nuk duhet të ishte dhe nuk duhet të jetë as prokuror në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.