Emrat / Zyrtarët që korruptoi Renido Petritaj i Rafin Company, 60 milionë euro tendera me pazar në tavolinë

Kryesore

Publikuar: 30/03/2026

Emrat / Zyrtarët që korruptoi Renido Petritaj i Rafin Company, 60 milionë euro tendera me pazar në tavolinë

Gjatë pesë viteve të fundit, rreth 27.5 milionë euro kanë dalë nga arka e shtetit, duke kaluar në llogaritë e dy kompanive në pronësi të biznesmenit Renido Petritajt, në zbatim të kontratave për punë publike, në shumë raste abuzive dhe përmes procedurve të manipuluara dhe të dyshuara si korruptive. 27 milionë euro kanë kaluar në llogaritë e kompanisë së ndërtimit Rafin Company dhe rreth 500 mijë në llogaritë e kompanisë tjetër General Trading.

Përmes disa linjave klienteliste dhe korruptive, Petritaj rezulton mes përfituesve të mëdhenj të parave publike përmes tenderave të dyshimtë, firmosur nga një rreth zyrtarësh publikë. Kompania e ndërtimit Rafin Company është themeluar 10 vite më parë nga 36-vjeçari nga Skrapari, Renido Petritaj, fillimisht me emrin 2F Construction, me kapital 100 lekë. 

Pas themelimit, Petritaj e pezulloi kompaninë, duke e aktivizuar në vitin 2016. Nga viti 2016 deri më sot, kompania Rafin Company ka marrë në bashkëpunim tendera me vlerë rreth 60 milionë euro. Suksesi i kompanisë është reflektuar edhe me kurbanë dhe bankete. 

Rafin Company rezulton një kompani reale, derivat i kompanisë Shtator 90 shpk, me punonjës dhe asete, por tenderat i ka marrë kryesisht me pazar në tavolinë, me fond limit gati sa ofertat fituese, në shumë raste me dokumente false, duke korruptuar një rreth funksionarësh publikë. 

Grupi përbëhet nga zyrtarë dhe ish zyrtarë në Bashkinë e Tiranës, Bashkinë e Elbasanit, Durrës, Universiteti i Mjekësisë, OSSH, Albpetrol, Fondi Shqiptar i Zhvillimit etj. Zyrtarët dhe ish zyrtarët, të cilët kanë firmosur rreth 60 milionë euro tendera për Renido Petritaj dhe bashkëpunëtorët e tij janë; Dritan Agolli, Eltar Deda, Olsi Isufaj, Ermal Murati,
Saimir Hasalla, Luljeta Dollani, Andius Olldashi, Tajar Bici, Xheladin Draçini, Abedin Kërrnaja, Edlira Naqellari, Eduart Bejko, Irini Shehu, Arian Faskaj, Erindi Bejko, Ermal Dredha, Rajmonda Balilaj, Nertil Nebiaj
 etj.

Disa prej këtyre zyrtarëve janë me dosje në SPAK për afera me tendera, ndërsa Edlira Naqellari u arrestua nga SPAK dhe u dënua nga GJKKO për korrupsion me tendrat publikë. Të gjithë funksionarët publikë që kanë firmosur tendera për Rafin Company janë të lakuar dhe skeduar për afera me paratë dhe pasuritë publike. Këta zyrtarë dyshohet se kanë marrë ryshfet nga Renido Petritaj në këmbim të firmosjes së tenderaveme flamur të kuq korrupsioni, me procedura fiktive, oferta fituese sa fondi limit, në disa raste me dokumente false etj.

Ortakët në tenderat e përbashkët të Renido Petritajt janë Raship Çelo, Zani Zoga, Odhise dhe Pëllumb Beta, Xhetan Ndregjoni, Bashkim dhe Shkëlqim Dulla, Dashnor Sinanaj, Eral Myftaraj, Dashnor, Shpëtim dhe Ardit Liçaj, Jemin Toto, Arben Çela etj.

Në vitin 2022, Renido Petritaj themelon dhe kalon në emrin e tij edhe kompaninë General Trading, me objekt tregtimin e artikujve të ndryshëm. 

Kompania ka fituar rreth 2 milionë euro tendera publikë në bashkëpunim, por në llogaritë e saj kanë kaluar rreth 500 mijë euro. Kompania operon me të njëjtat linja klienteliste si Rafin Company. 

Terreni për dy kompanitë besohet se është krijuar nga kompania Shtator 90 shpk, themeluar nga Nefir Petritaj, babai i biznesmenit Renido Petritaj. Disa nga lidhjet me zyrtarët publikë të Renido Petritaj dyshohet se i ka krijuar Nefir Petritaj pronar i kompanisë Shtator 90. 

Edhe pse me kapital modest, Shtator 90 shpk është një kompani reale dhe me historik në fushën e ndërtimit. Në vitin 2021, ka marrë një leje nga Bashkia e Tiranës, për ndërtimin e një pallati me 7 kate. Gjithsesi, disa sinjalizime dhe evidenca tregojnë se Renido Petritajt përfaqëson një nga linjat e konsoliduara të korrupsionit me tenderat publikë në Tiranë.