I dënuar për tjetërsimin e një prone në Livadh, Apeli i GJKKO-së lë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-kryebashkiakun Jorgo Goro

Aktualitet

Publikuar: 25/03/2026

I dënuar për tjetërsimin e një prone në Livadh, Apeli i GJKKO-së lë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-kryebashkiakun Jorgo Goro

Apeli i Posaçëm Antikorrupsion ka lënë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës Jorgo Goro lidhur me tjetërsimin e një prone në zonën e Livadhës.

GJKKO e dënoi më 30 korrik 2025 me 2 vite burg e për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi ulje dënimi në 1 vit e 4 muaj për tu liruar më pas më 29 gusht 2025. Goros gjithashtu i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite.

Goro u kallëzua nga Fredi Beleri me pretendimin se i ka dhuruar në vitin 2016 pasuesit të tij të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollanos 4263 metra sipërfaqe toke.

Goro u dënua pasi përcolli pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një toke bujqësore pronë shtet, në favor të Stavri Mëhillit, në kërkim. Pas kësaj procedure, toka u shit te një shoqëri private me përfaqësues ish-deputetin Artan Gaçin.

Në total përllogaritet rreth 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, për të cilën GJKKO vendosi konfiskimin për llogari të shtetit. Gjithashtu gjykata konfiskoi edhe apartamentin rreth 81 m katrorë që ishte në emër të biznesmenit Gentian Sula si  pronë e fshehur e ish-kryebashkiakut. Jorgo Goro ka edhe një tjetër dosje penale në ngarkim, për tjetërsimin e një toke në Livadhë të Himarës.